Mickoski jep sinjale për zhbllokimin e procesit eurointegrues, ka dy parakushte

Qeveria nuk do të hyjë në procesin e ndryshimeve kushtetuese pa përmbushur dy kushte kryesore, tha kryeministri Hristijan Mickoski.

“Është e rëndësishme që dy gjëra të mbeten konstante dhe të pandryshueshme. Së pari, duhet të kemi garanci të qarta nga Këshilli Evropian, se identiteti maqedonas dhe gjuha maqedonase janë të paprekshme dhe se kur Maqedonia të bëhet pjesë e BE-së, gjuha maqedonase do të jetë zyrtare. Gjithashtu, procesi duhet të zhvillohet në bazë të kritereve të Kopenhagës, pa çështje të reja dypalëshe”, thekson Mickoski gjatë pjesëmarrjes në TV Sitel.

Kushti i dytë, sipas tij, është përmbushja e detyrimeve nga fqinji lindor.

“Nëse paraqesim kapitullimin nga politikanët e mëparshëm, atëherë të paktën një gjë duhet të përmbushet – regjistrimi i organizatave joqeveritare, siç është OMO Ilinden Pirin, konform 14 vendimeve të Gjykatës Evropiane për të drejtat e njeriut”, tha kryeministri.

Ai shtoi se nuk do të pranonte një proces pa siguri për një rezultat të suksesshëm.

“Qytetarët janë të frustruar, ne kemi dhënë shumë për integrimin – emrin, flamurin, kartëmonedhat, disa ndryshime në Kushtetutë. Sa herë që plotësohet një kusht, vjen një i ri. Nuk mund ta ekspozoj më veten ndaj një gjëje të tillë”, theksoi Mickoski.

Kryeministri theksoi se ka pasur iniciativa nga shtete anëtare me ndikim të BE-së për bisedime dypalëshe, por ato kanë qenë të pasuksesshme.

“Kishte iniciativa nga shumë shtete anëtare me ndikim të BE-së, përfshirë politikanë shumë me ndikim në Bruksel, për të organizuar një takim ku ministrat do të diskutonin mbi çështje bilaterale, le të themi punët e jashtme. Ato iniciativa, imagjinoni, kanë qenë të pasuksesshme. Nga pala tjetër nuk pati asnjë përgjigje”, theksoi Mickoski.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu