Së shpejti do të nënshkruhet marrëveshja me Mbretërinë e Bashkuar në vlerë prej rreth 6 miliardë eurosh, për të cilën kryeministri Hristijan Mickoski thotë se, përveç përfitimeve politike, ka edhe përfitime ekonomike. Me këto mjete planifikohet ndërtimi i hekurudhës në Korridorin 10, tha Mickoski, duke përmendur edhe projekte në shëndetësi.
“Janë dakorduar tashmë dy lloje projektesh për t’u realizuar. Njëri është rindërtimi, modernizimi dhe ndërtimi i një korsie tjetër hekurudhore që është pjesë e Korridorit 10, nga Tabanoca deri në Gjevgjeli. Projekti i dytë përfshin një grup projektesh në sektorin e shëndetësisë, më në fund përfundimi i Qendrës Klinike në Shtip bashkë me Fakultetin e Mjekësisë dhe një konvikt studentor me 200 shtretër, përfundimi i spitalit në Kërçovë dhe rinovimi i Spitalit Klinik në Tetovë”, tha Hristijan Mickoski, Kryeministër.
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, shprehu shqetësim serioz dhe kërkoi përgjigje për këtë huazim prej rreth 6 miliardë eurosh. Sipas Filipçes, marrëveshja për bashkëpunim strategjik me Mbretërinë e Bashkuar është për t’u përshëndetur, por procedura e lidhjes së saj është problematike. Ai pyet nëse dihet se sa do të jetë norma e interesit dhe pse, në vend të granteve nga BE-ja, qeveria vazhdon të marrë borxhe.
“Bëhet fjalë për një shumë të madhe parash, 6 miliardë euro, që e tejkalon madje edhe buxhetin tonë. Pyetja e parë është: cila është origjina e këtyre parave, a janë paratë britanike dhe direkt nga Qeveria britanike, apo bëhet fjalë për një fond i cili është i vendosur në Mbretërinë e Bashkuar, por që disponon me para nga ndonjë vend tjetër? Pyetja e dytë – sa është norma e interesit, a e dimë sa është ajo, a e di Qeveria? Mënyra e tillë huazimi për projekte të tilla e karakterizon këtë Qeveri si antievropiane”, deklaroi Venko Filipçe, Kryetar i LSDM-së .
Marrëveshjen me Mbretërinë e Bashkuar, Mickoski e bëri të ditur nga Samiti në Tiranë, pas takimit të tij me kryeministrin britanik, Ker Starmer, për të cilën njoftoi se do të nënshkruhet këtë javë.