Kryeministri Hristijan Mickoski theksoi që pa miratimin e ndryshimeve të Ligjit për Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve i cili ndodhet në Kuvend, punëtorët e Inspektoratit të cilët pesë muaj janë pa rroga, edhe më tej nuk mund të marrin rroga.
Mickoski, i cili të shtunën realizoi takim me drejtorin e Inspektoratit Arsim Idrizin dhe disa të punësuar, thekson që kjo është e domosdoshme për shkak të harmonizimeve të ligjeve.
“A mund t’u paguhet rroga para se të ndryshohet ligji? Jo nuk mundet. Për atë ishim në atë takim. Ligji do të jetë para deputetëve me çka, në pajtueshmëri me Ligjin për Organizimin dhe Punën e Organeve të Administratës Shtetërore, Inspektorati duhet të jetë pjesë e Ministrisë së Drejtësisë në këtë hap të parë, që të mundemi t’i paguajmë pagat të cilat në të kaluarën, i kanë përfituar me nder të punësuarit në Inspektoratin, për të cilin ju flisni”, tha Hrisitijan Mickoski, kryeministër.
Sipas Mickoskit kjo është vetëm zgjidhje e përkohshme për të tejkaluar problemin e rrogave. Synimi është që me ndryshime të reja ligjore Inspektorati të vendoset, të hiqet nga Ministria e Drejtësisë dhe të vendoset nën kompetenca të Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve. Megjithatë për t’i realizuar këto ndryshime, nevojitet shumicë e Badinterit, të cilën mazhoranca momentalisht nuk e ka. Ndërsa, BDI-ja opozitare e cila mund të ndihmojë për të votuar ligjin, ka deklaruar se nuk do t’i mbështesë këto ndryshime pasi sipas tyre kanë qëllim që ta dobësojnë Inspektoratin.
“Edhe ky ligj kërkon Badenter, në ndërkohë BDI paralajmëroi se nuk do t’i votojë këto ndryshimet të ligjit, keni bashkëpunim…Nëse BDI, nuk i voton atëherë BDI tregon se BDI është absolutisht koesistent në politikat e saja dyfytyrëshe, gjegjësisht dëshiron t’i lë njerëzit që janë në Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhës Shqipe pa paga edhe më tej”, u shpreh Hrisitijan Mickoski, kryeministër.
Pas pesë muajsh pa rroga e sigurim shëndetësor dhe pensional, punëtorët javën e kaluar publikisht kërkuan nga institucionet që të zgjidhin problemin pasi kjo gjendje i shpie në pasiguri sociale, luftë ekzistenciale dhe zhvlerësim të punës dhe dinjitetit të nëpunësit.
Kërkesa, siç thanë punëtorët, nuk është as partiake e as politike, por vetëm kërkesë që u takon me ligj dhe Kushtetutë./ Alsat.mk