Kryeministri Hristijan Mickoski ka lëshuar një deklaratë të fortë duke paralajmëruar zgjedhje të shpejta, pas të cilave, sipas tij, LSDM-ja do të shndërrohet në një parti margjinale.
Nga ana tjetër, kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti janë kundërpërgjigjur menjëherë se janë të gatshëm për t’u ballafaquar në zgjedhje, përcjell INA.
Duke iu përgjigjur pyetjeve lidhur me pretendimet e Filipçes se “nuk sheh se si Bullgaria e mohon identitetin maqedonas”, Mickoski nga Aerodromi i Shkupit u shpreh sot se ndjen keqardhje që partia opozitare ka vendosur sërish të gjunjëzohet para interesave të huaja në vend që të qëndrojë krah për krah me qeverinë për interesat kombëtare.
“Lajmi i mirë është se së shpejti do të ketë zgjedhje dhe pas tyre partia që ai udhëheq do të margjinalizohet. Shpresoj që ai dhe njerëzit si ai të zhduken përgjithmonë nga politika dhe të vijnë njerëz që e duan atdheun dhe do të luftojnë për këtë shtet së bashku me mua,” tha Mickoski.
Vetëm pak orë më vonë, nga selia e LSDM-së, Venko Filipçe deklaroi se e ka dëgjuar deklaratën e kryeministrit dhe se, ndonëse nuk e di saktësisht se për çfarë zgjedhjesh bëhej fjalë, supozon se flitet për zgjedhje parlamentare. Sipas tij, kjo është logjike pasi shtetit po i mbarojnë paratë.
“Ne jemi gati për zgjedhje kurdo që të ndodhin dhe do t’i japim fund këtij pushteti sepse është kriminal, më i korruptuari në të gjithë Evropën dhe sepse është antipopullor. Ky pushtet nuk kujdeset për shtetin dhe qytetarët. Do ta kthejmë pushtetin në duart e popullit, këtë ua them me përgjegjësi,” u shpreh Filipçe.
Në një deklaratë për media, edhe kreu i BDI-së, Ali Ahmeti ka deklaruar se është i gatshëm për zgjedhje të parakohshme në Maqedoni.
“Unë kam kërkuar që në ditën e parë zgjedhje të parakohshme, por s’është befasi. Nesër me pas zgjedhje jam i gatshëm sigurisht”, u ka thënë Ahmeti gazetarëve.
Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit kërkon që kryeministri sa më shpejt t’i kërkojë Kuvendit të shpallë zgjedhje të parakohshme.
“Aleanca për Shqiptarët mbështet dhe inkurajon kryeministrin e vendit që sa më parë t’i bëjë thirrje kuvendit për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare për të mundësuar lehtësimin dhe debllokimin e procesit eurointegrues të vendit, i cili po mbahet peng nga kjo qeveri”, theksoi kjo parti.
Nga VLEN konsiderojnë se Qeveria ka shumicë stabile dhe të konsiderueshme, me tendencë që të zgjerohet edhe më tej.
“VLEN është në fazën përfundimtare të bashkimit në një subjekt të vetëm politik, duke e forcuar edhe më tej pozitën e tij si forcë dominuese në skenën politike në Maqedoninë e Veriut. Vlerësojmë se fokusi kryesor duhet të jetë realizimi i politikave që përmirësojnë standardin jetësor të qytetarëve dhe forcojnë funksionet shërbyese të pushtetit ekzekutiv”, theksojnë nga VLEN.
Deri më sot, deklaratat e Mickoskit ishin se zgjedhjet parlamentare do të mbaheshin në terminin e rregullt në vitin 2028, por ky ndryshim i kursit sot ka ndezur menjëherë skenën politike në vend.(INA)










