reu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski në konferencën e sotme për shtyp kërkoi nga presidenti i shtetit Stevo Pendarovski të vazhdojë gjendjen e jashtëzakonshme dhe gjatë kësaj kohe të përgatiten protokolle të reja për mbajtjen e zgjedhjeve në përputhje me masat për mbrojtje nga Covid-19, si dhe nën monitorim të plotë të OSBE/ODHIR. Mickoski theksoi se për VMRO-DPMNE-në këto ndryshime do të mund të arrihen deri në mes të muajit korrik.
“Keni kohë që deri në fund të ditës të vazhdoni gjendjen e jashtëzakonshme sepse VMRO-DPMNE ka dy kërkesa, së pari të hartojmë protokolle me çka do të mbrojmë shëndetin e qytetarëve, dhe së dyti të kemi zgjedhje fer, demokratike dhe inkluzive. Kjo do të thotë që ditën e parë kur misioni për monitorimin e zgjedhjeve nga OSBE/ODHIR të arrijë në Maqedoni, pas konferencës së parë të tyre, ditën tjetër le të fillojë kampanja dhe atë ditë le të caktojmë datën e zgjedhjeve. Sipas VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit, kjo datë do të ishte diku nga mesi i korrikut”, tha Mickoski.
Ndërkohë, kreu i LSDM-së, Zoran Zaev ka theksuar se zgjedhjet e parakohshme parlamentare mund të mbahen më 8 korrik, ditën e mërkurë, ndryshe nga çdo cikël zgjedhorë kur dita e zgjedhjeve është dita e diel.
“Një gjë e tillë mund të ndodhte nëse do të arrihet marrëveshje me të gjitha partitë, në të kundërtën, dita e zgjedhjeve do të jetë më 5 korrik, e diel. Votimi mund të zgjas deri në orën 21:00, ndërsa nëse arrihet konsensus për këto ndryshime, heshtja zgjedhore do të fillonte të dielën në mesnatë dhe në vend të ditë së shtunë siç parashihet në kodin zgjedhorë, të sëmurët dhe të palëvizshmit do të votonin të hënën dhe të martën”, theksoi Zaev duke shtuar se në këtë listë të futen edhe personat të cilët për shkak të koronavirusit ndodhen në vetëizolim.
Katër anëtarë të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve deri tek kryetari dhe nënkryetarja e komisionit kanë dërguar inicitivë që sot të thërrasin seancë për zgjedhjet e parakohshme Parlamentare 2020.
Boris Kondarko, Janaqe Vitanovski, Radica Risteska dhe Enver Salihi janë katër anëtarët që kanë nënshkruar për thirrje të seancës. Tre të parët janë anëtarë që i ka propozuar LSDM-ja, ndërsa Salihin në KSHZ e ka propozuar Lëvizja Besa.
Ndërkaq kryetari Oliver Derkoski është nga VMRO-DPMNE ndërsa nënkryetarja Ditmire Shehu nga BDI. TV21 mëson se përveç që Derkoski e Shehu nuk janë paraqitur në punë, janë edhe të pakapshëm në telefon nga kolegët e tyre anëtarë të KSHZ-së.
Derkovski të premten pati paralajmëruar për thirrje të seancës për sot (e diel), por këtë gjë nuk e bëri. Kështu 4 anëtarët e KSHZ-së të koalicionit “Mundemi” përmes iniciativës kërkojnë vazhdimin e aktiviteteve zgjedhore në përputhje me dekretin e ri të qeverisë, e që gjatë ditës së sotme kryetari i KSHZ-së Oliver Derkoski të thërrasë seancë dhe të vazhdojë rendin e ditës. Po ashtu kërkohet që në këtë seancë të sillet edhe orari i reviduar ku do të parashikohen të gjitha veprimet e mbetura zgjedhore.










