Mickoski thirri për bashkim, e pastaj dërgoi mesazh: Ndryshimet kushtetuese janë tradhti (VIDEO)

Bëri thirrje për bashkim, pavarësisht përcaktimit politik, sepse siç tha, vetëm në këtë mënyrë të rinjtë do të kenë ardhmëri, kurse Maqedonia do të zhvillohet në një shtet modern dhe europian.

“Me të vërtetë këto janë ditë kur duhet të bashkohemi, pavarësisht dallimeve tona politike. Këto janë ditë kur duhet ta pranojmë mesazhin për bashkim, për unitet”, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Por, vetëm disa sekonda më vonë, refuzoi ta pranojë thirrjen për konsensus politik dhe unifikim për ndryshimet kushtetuese, gjegjësisht për futjen e bullgarëve në Kushtetutë, që është parakusht për nisje të negociatave me BE, me çka Maqedonia do të bëhej vend europian.

“Nuk është bashkim, por tradhti. Këtë duhej ta kishte menduar dikush para se ta dakordojë. Sepse ne nuk dolëm në zgjedhje duke u premtuar qytetarëve ndryshim të Kushtetutës. Ne nuk dolëm në zgjedhje duke u premtuar qytetarëve nënshkrimin e kapitullimit dhe tradhtisë. Ai që e ka firmosur duhej të dinte se nuk kishte kushte për ta realizuar këtë”, tha Mickoski.

Siç thotë, thirrja e tij për bashkim ka të bëjë me ndershmërinë ndaj qytetarëve, ndërsa zgjidhje për të gjithë krizën janë zgjedhje të shpejta, gjë të cilën e kërkojnë qytetarët. Ai pohon se deputetët e LSDM-së dhe BDI-së e dëshirojnë të njëjtën gjë si VMRO-DPMNE-ja – zgjedhje të parakohshme.

“Zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë kusht që Maqedonia të mund të ecë përpara. Prandaj them të bashkohemi rreth kësaj dhe t’i mbështesim zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të ndodhin më së voni deri në mesin ose gjysmën e dytë të majit të këtij viti”, tha Mickoski.

Për momentin, pro kësaj kërkese është vetëm Lëvizja Besa.

“Nëse pushteti nuk ka vesh për këto probleme dhe të përballet me qytetarët në zgjedhje të parakohshme, bashkë me opozitën do të shqyrtohen mundësitë dhe nëse është e nevojshme do të organizojmë edhe protesta qytetare. Ky do të jetë një lloj presioni ndaj qeverisë që të dëgjohet zëri i qytetarëve sa më shpejt të shkohet në zgjedhje”,
tha Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa.

Nga Aleanca për Shqiptarët thonë se prioritet janë ndryshimet kushtetuese. Nga ana tjetër koalicioni qeverisës LSDM-BDI-Alternativa janë kundër mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme. Sipas tyre, zgjedhjet do të mbahen në afatin e rregullt, në vitin 2024.

“Është tradhti të gënjesh popullin tënd, të bllokosh rrugën europiane dhe njohjen e gjuhës dhe identitetit maqedonas në familjen e madhe të kombeve europiane. Mickoski mbetet peng i Apasievit dhe nën hijen e Gruevskit, gënjen popullin, madje edhe në Krishtlindje”, thonë nga LSDM.

Por, nëse deri në nëntor nuk ndodhin ndryshimet kushtetuese, do të ketë krizë politike, parashohin njohësit e çështjeve politike.

“Po, një situatë e tillë na çon në rrugë pa dalje dhe hyjmë në krizë politike ku do të duhet të vendosin qytetarët, në zgjedhje ose me mekanizma të tjera, të vendosin qytetarët dhe partitë politike dhe elitat politike nëse rruga europiane është rruga e vërtetë për Maqedoni, për shkak se në atë situatë ky bojkot i qetë i euroinegrimeve do të shndërrohet në bojkot aktiv. Nuk po shoh epilog tjetër përveç takimit të liderëve, përveç konsultimeve të përbashkëta politike, ndonjë restart i sistemit politik, të paktën disa parti politike të vendosin për një strategji kombëtare”, tha komunikologu Petar Arsovski.

Maqedonia duhet t’i sjellë ndryshimet kushtetuese deri në fund të këtij viti, gjegjësisht në nëntor kur pritet të përfundojë procesi i skriningut. Në kushte aktuale, kjo duket e vështirë, sepse pushteti nuk e ka shumicën e nevojshme prej 80 votave në Kuvend.

Video:


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu