Mickovski: Do doja të gjithë të punësuarit të marrin rrogë 1000 euro, ja kush e vendos

Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi sot se dëshiron që paga minimale të jetë 1.000 euro në vend të 500 eurove aktuale, por theksoi se ky çështje duhet të zgjidhet në Këshillin Ekonomiko-Social (KES). Ai u bëri apel “sindikalistëve të vërtetë” të distancohen nga retorika politike, pasi sipas tij, politikanët e opozitës i keqpërdorin, dhe të fokusohen në të drejta reale sindikale.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në Petrovec, Mickoski theksoi se pa marrëveshje mes sindikatave dhe punëdhënësve nuk mund të miratohet ligj i ri, sidomos në periudhë parazgjedhore. Sipas tij, shërbimet janë faktori kryesor i inflacionit, ndërsa paga mesatare po rritet me 11% me inflacion prej 4,5%, gjë që do të thotë se paga neto është rritur.

“Kjo nuk është temë për pikë politike, por për debat institucional. Në mbledhjen e fundit të KES-it kishte mendime të ndryshme, por jo dallime të pakapërcyeshme. Me dialog konstruktiv mund të gjendet një zgjidhje që Qeveria do ta respektojë,” tha kryeministri.

Ai kujtoi se Qeveria, si punëdhënësi më i madh, ka arritur marrëveshje për rritjen e pagave në arsim, shëndetësi, MPB, Ministrinë e Mbrojtjes dhe në të gjitha institucionet, duke bërë që të mos ketë më paga të barabarta me pagën minimale. Për pjesën tjetër, theksoi, përgjegjës janë sindikatat dhe punëdhënësit.

Mickoski përsëriti se çmimet e shërbimeve do të vazhdojnë të rriten për aq kohë sa qytetarët janë të gatshëm t’i paguajnë, dhe se ulja e tyre do të ndodhë vetëm kur kërkesa të bjerë, pasi Qeveria nuk mund të ndërhyjë drejtpërdrejt në këtë segment./InfoShqip.com


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu