Presidenti i Kroacisë Zoran Milanoviq është zotuar se do të shfrytëzojë ndikimin e tij që të afrojë Kosovën me BE-në. Milanoviqi ka thënë se ka shtete në BE që nuk dinë shumë për Kosovën, ndërsa ka thënë se nuk i kupton disa shtete anëtare të BE-së që s’e kanë njohur akoma Kosovën.
“Unë do të flas dhe do të bind aty ku mund të kem ndikim, është për t’u habitur se sa pak dihet për Kosovën edhe në nivelet e larta të BE-së. Zgjidhja e statusit të Kosovës, ku disa shtete të BE-së nuk i kuptoj që nuk e kanë njohur Kosovën dhe do të bëj çka është e mundur të përcjell mesazhin dhe të bëj gjithçka që është e mundur nga ana ime”, ka thënë Milanoviqi në konferencën për media bashkë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Ai tha se situata në Kosovë është e qetë, ndërsa krahasoi injorimin e BE-së ndaj Kosovës me pemët verore që presin të fermentohen.
“Në Kosovë nuk kemi luftë ose rrezik humanitar, thjesht ka mbetur të fermentohet, si perimet verore”, tha ai.









