Miliarderët kanë gjetur një mënyrë për t’u pasuruar edhe më shumë, por planeti do të vuajë më tepër

Njerëzit më të pasur në botë po bëjnë kërkime të mineraleve dhe metaleve të vlefshme që janë të rralla ndërsa fshihen nën akullnajat në bregun perëndimor të Grenlandës.

Miliarderët, duke përfshirë edhe ata që janë në krye të listës “Forbes” të njerëzve më të pasur në botë, po financojnë gjuetinë e këtij thesari të fshehur përmes një prej kompanive që nisën kërkimet në pjesën e Grenlandës që filloi të shkrihej me shpejtësi për shkak të krizës së klimës.

Shkrirja e përshpejtuar e akullit të Grenlandës krijon një mundësi për investitorët dhe kompanitë minerare që kërkojnë një thesar të ri global të mineraleve dhe metaleve kritike të nevojshme për kalimin në energjinë e gjelbër.

Një grup miliarderësh, duke përfshirë Jeff Bezos, Michael Bloomberg dhe Bill Gates, besojnë se nën sipërfaqen e kodrave dhe luginave të ishullit Disko të Grenlandës dhe gadishullit Nusuaq ka minerale të mjaftueshme për të furnizuar me energji qindra miliona automjete elektrike.

“Ne po kërkojmë një depozitë që do të jetë depozitimi i parë ose i dytë më i madh i nikelit dhe kobaltit në botë”, tha Kurt Haus, CEO i Kobold Metals.

Klubi i miliarderëve mbështet financiarisht Kobold Metals, një kompani minierash dhe eksplorimi me bazë në Kaliforni. Kjo kompani, në partneritet me Bluejay Mining, është në kërkim të metaleve të rralla dhe të çmuara në Grenlandë, të cilat janë të nevojshme për prodhimin e automjeteve elektrike dhe baterive masive për ruajtjen e energjisë së rinovueshme.

Tridhjetë gjeologë, gjeofizikanë, kuzhinierë, pilotë dhe teknikë janë duke kampuar në vendin ku këto dy kompani kërkojnë thesar. Ekuipazhet në terren marrin mostra dheu ndërsa dronët dhe helikopterët matin fushën magnetike dhe hartojnë shtresat e shkëmbinjve. Inteligjenca artificiale u përdor për të analizuar të dhënat e mbledhura për të përcaktuar se ku do të shpohej verën e ardhshme.

“Është shqetësuese të dëshmosh pasojat dhe ndikimet e ndryshimeve klimatike në Grenlandë. Por ndryshimi i klimës e ka bërë eksplorimin dhe minierat në Grenlandë më të lehtë dhe më të përballueshëm”, tha CEO i Bluejay Mining, Bo Moller Stensgaard.

Ai shton se ndryshimet klimatike po zgjasin periudhat pa akull në det, gjë që e bën më të lehtë transportin e pajisjeve të rënda të nevojshme për miniera, si dhe shpërndarjen e metaleve dhe mineraleve më tej në tregun global.

Shkrirja e akullit në kontinentin e Grenlandës po zbulon tokën që ka qenë e mbuluar për shekuj dhe mijëvjeçarë, por tani mund të bëhet një vend për eksplorim. Sipas Shërbimit Gjeologjik të Danimarkës dhe Grenlandës, ky territor mund të jetë një depozitë kryesore për qymyr, bakër, arin dhe zinkun.

Megjithatë, ajo ka edhe një kosto kur bëhet fjalë për rrezikimin e mjedisit, sepse akulli i zhdukur i Grenlandës po ngre nivelin e detit, gjë që shqetëson shkencëtarët që studiojnë Arktikun.

“Shqetësimi i madh për akullin e detit Arktik është se ai është zhdukur gjatë dekadave të fundit dhe parashikohet të zhduket potencialisht në 20 deri në 30 vjet”, tha shkencëtari i NASA-s, Nathan Kurtz.

“Në vjeshtë, ajo që dikur ishte një shtresë akulli Arktik gjatë gjithë vitit, tani do të jetë vetëm një shtresë akulli sezonale”, shton ai. /Telegrafi/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu