Ministrat e Jashtëm të BE-së diskutojnë për zhvillimet e fundit në botë

Ministrat e jashtëm të vendeve të Bashkimit Evropian (BE) u takuan për të diskutuar çështje të tilla si situata në Afganistan dhe Liban, zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe Mozambik.

Agjenda zyrtare e Këshillit të BE-së për Marrëdhëniet e Jashtme, që u mblodh në Bruksel të Belgjikës, përfshin gjeopolitikën e teknologjive të reja digjitale, “Busullën Strategjike” të BE-së, e cila pritet të hartohet deri në fund të këtij viti dhe Etiopinë.

Kriza politike dhe ekonomike e Libanit është gjithashtu në agjendën e takimit ministror, ku do të diskutohet edhe për rajonin e Kaukazit jugor.

Këshilli do të informohet për rezultatet e vizitave të ministrave të Jashtëm të Austrisë, Lituanisë dhe Rumanisë në Gjeorgji, Azerbajxhan dhe Armeni.

Afganistani është gjithashtu në rendin e ditës në takimin e Ministrave të Jashtëm të BE-së.

Pritet që në këtë temë, ku do të diskutohet mbi situatën përfundimtare pas vendimit të NATO-s për t’u tërhequr, të theksohet rëndësia e funksionalitetit të aeroportit të Kabulit.

Ndërkohë, në takimin e ministrave të Jashtëm të BE-së do të marrë pjesë edhe ministri i Jashtëm izraelit Lapid.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu