Ministri i Brendshëm i Francës, Laurent Nunez, ka deklaruar se policia humbi kontrollin në disa qytete gjatë fundjavës, pas trazirave dhe plaçkitjeve që pasuan protestat masive në vend.
Sipas raportimeve të BBC-së, më shumë se gjysmë milioni njerëz dolën në rrugë të shtunën për të protestuar kundër kostos së lartë të jetesës.
Megjithatë, në disa zona protestat eskaluan në dhunë, ku u dogjën ndërtesa dhe u plaçkitën dyqane, transmeton Klankosova.tv
Trazirat kishin nisur muajin e kaluar, me protestat e studentëve për kushtet në shkolla, por më pas u zgjeruan duke përfshirë edhe pakënaqësi të tjera.
Nuñez ka pranuar se policia nuk ishte përgatitur mjaftueshëm për situatën dhe ka ofruar dorëheqjen, por presidenti francez, Emmanuel Macron, ka kërkuar që ai të vazhdojë në detyrë.
Dhuna vazhdoi edhe të dielën në Paris, ku policia arrestoi më shumë se 350 persona, ndërsa të paktën pesë dyqane u plaçkitën.
Ndërkohë, qeveria franceze ka thirrur një mbledhje të jashtëzakonshme për të diskutuar situatën e sigurisë pas trazirave.










