Ministri Akar shkoi në Republikën Turke të Qipros së Veriut për të marrë pjesë në ceremonitë që organizohen me rastin e Rezistencës së Erenköy-it; për të realizuar vizita të ndryshme si dhe për të inspektuar dhe kontrolluar njësitë ushtarake.
Në këtë vizitë ministri Akar shoqërohet nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Gjeneralarmate Jashar Gyler (Yaşar Güler), Komandanti i Forcave Tokësore Gjeneralarmate Ymit Dyndar (Ümit Dündar), Komandanti i Forcave Detare Admirali Adnan Ëzball (Özbal) dhe Komandanti i Forcave Ajrore Gjeneralarmate Hasan Kyçykakjyz (Küçükakyüz).
Në fillim Akar dhe Komandantët e Forcave kaluan në lagjen “Gemikonağı” për të marrë pjesë në ceremoninë e përurimit të Monumentit të Kapitenit Dëshmor Cengiz Topel”, i cili është rinovuar. Këtu Akar dhe gjeneralët u pritën me manifestime dashurie nga qytetarët.
Krahas ministrit Akar dhe Komandantëve të Forcave në ceremoni morën pjesë edhe Presidenti i Republikës Turke të Qipros së Veriut (RTQV) Mustafa Akënxhë (Akıncı), Presidenti i Dytë i RTQV-së Mehmet Ali Talat, Kyeministri Ersin Tatar, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Kudret Ëzersay (Özersay), Kryetari i Parlamentit të RTQV-së Teberryken Ulluçaj (Teberrüken Uluçay), ministra, përfaqësues të partive politike si dhe të afërm të dëshmorit Topel e qytetarë të thjeshtë.
Në fjalën që mbajti në ceremoni, Hulusi Akar tha se Turqia i ka mbrojtur dhe do të vazhdojë ti mbrojë përherë edhe të drejtat dhe interesat e saj, edhe të Republikës Turke të Qipros së Veriut (RTQV).
E kemi thënë dhe vazhdojmë ta themi në çdo rast dhe me një gjuhë të përshtatshme që të mos e testojnë forcën dhe fuqinë tonë, pasi kjo do të ketë një faturë të rëndë. Nuk do të neglizhohet grabitja e të drejtave të Turqisë dhe RTQV-së me ndonjë veprim të llojit ‘fakt i kryer’,- theksoi ministri Akar.
Pasi u dhanë informacione për monumentin, nëntogeri pilot Ibrahim Kutaj (Kutay) mbajti një fjalim në kujtim të kësaj dite të shënuar, në vijim u recituan poezi.
Ceremonia e përurimit të monumentit vazhdoi me fluturimin parakalues të avionëve reaktivë F-16 të Komandës së Forcave Ajrore të Turqisë. /vot