Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Republikës së Kosovës (AUV), duke iu referuar njoftimit nga Sistemi i Paralajmërimit të Shpejtë për Ushqim (RASFF), njofton qytetarët se gjatë kontrollit të kryer në një ngarkesë të produktit ‘MDM pulë’, të importuar nga Rumania në Prizren është konstatuar prania e bakterit Salmonella spp.
Gjatë inspektimeve është vërtetuar ekzistenca e salmonelës në sasinë prej 27.7 kilogramë mish pule. AUV thekson se menjëherë pas konstatimit të këtij rasti, sasia e importit nga lloti i cili ka rezultuar pozitive është asgjësuar në përputhje me procedurat ligjore dhe standardet e sigurisë ushqimore.
“Është asgjësuar në përputhje me procedurat ligjore dhe standardet e sigurisë ushqimore. AUV vazhdon të monitorojë me kujdes të shtuar situatën dhe të bashkëpunojë ngushtë me institucionet vendore dhe ndërkombëtare si dhe me bizneset të cilat merren me importin e mishit për identifikimin dhe parandalimin e rasteve të ngjashme”, thuhet në njoftim.
Tutje, AUV thekson se publiku do të informohet në kohë reale për çdo zhvillim të ri.










