Koalicioni VLEN së shpejti do të del me qëndrim të unifikuar lidhur me modelin zgjedhor për të cilin tashmë ka dy iniciativa në Kuvend. Zv kryeministri Izet Mexhiti, tha se të gjitha modelet në parim janë të mira, por po shqyrtohen detajet.
“Janë afruar zgjedhjet, zakonisht kjo kërkon një periudhë më të gjatë të debatit, të jetë një proces më inkluziv, me argumente pro dhe kontra sepse në parim të gjitha modelet janë të mira por duhet t’i shohim detajet. Vleni ka brenda disa subjekte që në të kaluarën kanë pasur mendime të ndryshme, disa subjekte kanë qenë për model me 3 njësi, disa me 8 njësi zgjedhore, mund të jetë edhe një njësi por varet cili model i një njësie zgjedhore. Këto ditë do të dalim me qëndrim të unifikuar për të kontribuar për të zgjedh modelin më të mirë”, tha Izet Mexhiti, Zv Kryeministër.
Mexhiti tha se po punohet për zgjerim të shumicës me deputetë të tjerë nga Fronti Evropian.
“Sa i përket shumicës, shumica është stabile, e përqendruar në realizimin e programit, projekteve, dhe zgjidhjen e problemeve te qytetarëve. Shumica po rritet, në plan të dytë po punohet që të rritet edhe më shumë me deputetë nga Fronti Evropian”, tha Izet Mexhiti, Zv Kryeministër.
Duke komentuar mesazhin që një ditë më parë Ziadin Sela i dërgoi Ali Ahmetit lidhur me Strugën, Mexhiti tha se BDI në vitet e fundit ka mbijetuar nga përçarja e opozitës, por siç tha ai, integristët kanë harruar se ai që përçan në fund përfundon nga përçarja. /Alsat.mk