Mourinho shkarkohet, ja arsyet e vendimit

Drejtuesit e klubit londinez Tottenham Hotspur shkarkuan trajnerin e ekipit Jose Mourinho. Mediat e ndryshme britanike kishin hamendësuar prej kohësh një shkarkim të mundshëm të trajnerit të mirënjohur portugez në fund të sezonit, por Daniel Levy vendosi të mos presë deri në verë, duke shkëputur menjëherë lidhjet me 58-vjeçarin nga Setubali. Jose Mourinho e mori drejtimin e “gjelave” më 20 nëntorin e vitit 2019, pra vetëm një ditë pas shkarkimit të trajnerit të mëparshëm, argjentinasit Mauricio Pochettino.

Trajneri luzitan e mori ekipin londinez në vështirësi të theksuar, pasi “spurs” pozicionoheshin vetëm në vendin e 14 në klasifikimin e përgjithshëm të Premier League-s, pa fituar një ndeshje jashtë fushe prej plot 10 muajsh. Hija e rëndë e Mauricio Pochettino-s vazhdon të mbulojë tifozët e klubit londinez, për shkak të kualifikimit të skuadrës deri në finalen e madhe të Champions League-s, si dhe renditjes së vazhdueshme brenda katër vendeve të para të kampionatit anglez, por për hir të së vërtetës në 5 sezone trajneri argjentinas nuk fitoi qoftë edhe një trofe të vetëm. Trajneri i famshëm luzitan premtoi trofe dhe për hir të së vërtetës “gjelat” do të luajnë finalen e Kupës së Ligës të dielën e ardhshme në Wembley, ndaj Manchester City-t.

Si për ironi të fatit biznesmeni 59-vjeçar vendosi ta shkarkojë Mourinho-n vetëm gjashtë ditë përpara kësaj finaleje të madhe, që pritej vërtet me shumë interes, për shkak të rivalitetit të teknikut portugez me Pep Guardiolën. Mourinho e ka fituar 4 herë Kupën e Ligës me Chelsea-n dhe Manchester United, dhe me një triumf në Wembley do të shndërrohej në trajnerin absolutisht më të suksesshëm të këtij kompeticioni, duke kaluar legjendarin skocez Alex Ferguson, ndërsa trajneri katalanas do të ketë mundësinë për ta barazuar Jose-në në këtë aktivitet pikërisht të dielën e ardhshme.

Për momentin kur mbeten edhe vetëm 6 takime për t’u luajtur në Premiership ekipi londinez pozicionohet në vendin e shtatë, 6 pikë larg vendit të tretë dhe 5 larg Zonës Champions. Në fundin e nëntorit dhe fillimin e muajit dhjetor Tottenhami kryesoi për disa javë përkohësisht kampionatin anglez, megjithatë që pas disfatës me kampionët në fuqi në Anfield, pas golit të shënuar në çastet e fundit nga Roberto Firmino “spurs” regjistruan vetëm 7 fitore, 4 barazime dhe plot 8 humbje, duke grumbulluar thjesht 25 pikë nga 57 të mundshmet, në një fazë të plotë. Sezonin e kaluar ekipi siguroi Zonën Evropiane vetëm në javën e fundit, duke kaluar në renditje “ujqërit” e Wolverhampton-it, gjithsesi ishte pikërisht eliminimi i turpshëm i skuadrës në Europa League me Dinamon e Zagrebit që dobësoi ndjeshëm pozitat e trajnerit luzitan.

Në FA Cup Tottenhami u eliminua në Goodison Park nga Evertoni i mikut të tij Carlo Ancelotti, pavarësisht se “gjelat” realizuan plot katër herë, ndërsa në Europa League futbollistët u panë pak të impenjuar dhe çuan dëm në Kroaci avantazhin 2-0 të ndeshjes së vajtjes, ndaj një ekipi kundërshtar si Dinamo e Zagrebit. Mourinho është i famshëm për karakterin e fortë dhe mënyrën e tij për të qenë i drejtpërdrejtë me futbollistët, por shumë lojtarëve nuk iu pëlqyen disa kritika të trajnerit dhe kjo gjë ndikoi duke krijuar pakënaqësi dhe prishur ekuilibrat në gjirin e klubit. Një pjesë e lojtarëve rezervë si Gareth Bale, Dele Alli apo Harry Winks nuk ishin dakord me zgjedhjet e bëra nga trajneri i tyre dhe donin më shumë minuta në fushën e lojës, ndërkohë shumë lajme të brendshme filluan të dalin nga dhoma e zhveshjes dhe nisën të shfaqen befas nëpër mediat e ndryshme, duke përkeqësuar akoma më shumë pozitat e trajnerit portugez.

Në këtë mënyrë Daniel Levy vendosi t’i japë fund kësaj situate, pas pothuajse një viti e gjysmë, duke e vlerësuar si të pashpresë përpjekjen e skuadrës për të kapur Zonën Champions. Jose Mourinho është kritikuar vazhdimisht në ishull për stilin e tij mbrojtës, megjithatë vetëm pak javë më parë Tottenhami i tij ishte ekipi që kishte shënuar më shumë gola nga klubet e pesë kampionateve kryesore pas vetëm Bayernit të Mynihut, ndërkaq është fakt se që nga koha kur mori në duar timonin e “gjelave”, pavarësisht 5 muajve të humbur për arsye dëmtimi Harry Kane është pikërisht futbollisti që ka shënuar më shumë gola në kampionatin anglez, për më tepër klubi i Tottenham-it ka plot 13 vjet që nuk fiton qoftë edhe një trofe të vetëm.

Me gjithë ndeshjen e Evertonit bëhen plot 20 pikë që Tottenhami ka lëshuar nga pozita avantazhi në kampionat dhe Mourinho ka vënë gishtin vazhdimisht te cilësitë e lojtarëve të repartit të prapavijës dhe mënyrës se si mbron ekipi. Madje, i pyetur për pikët e shumta që ka humbur skuadra nga pozita të tilla Mou u përgjigj me fjalë të tjera pa hezituar aspak se trajneri është i njëjtë, pra po ai, por futbollistët në dispozicion janë të ndryshëm. Jose Mourinho kishte edhe një vit kontratë me klubin londinez, pra deri në verën e vitit të ardhshëm, kështu që mbetet për t’u parë çeku që do të shtrëngohet për të paguar këtë radhë një dorështrënguar si Daniel Levy, duke patur parasysh që paga vjetore e 58-vjeçarit portugez me “gjelat” ishte plot 15 milionë stërlina në vit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu