Partitë politike në raport me dialogun janë sjellë në mënyrë jo serioze duke e shpërfaqë para opinionit publik si një imponim nga Bashkimi Evropian, por jo si domosdoshmëri që Kosova përmes tij t’i zgjidh problemet e mbetura me Serbinë, kështu ka thënë në një prononcim për Ekonomia Online, kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati.
Nga një varg politikanësh, sipas Muratit edhe kryeministri i vendit Albin Kurti është nga ata që favorizon “status-quo”.
Madje, ai tha se kreu i shtetit Kurti është duke përdorur të gjitha këto taktika që ta zvarrisë dialogun e edhe ta dështojë atë.
“Në përgjithësi partitë politike në raport me dialogun janë sjellë në mënyrë jo serioze duke e shpërfaqë para opinionit publik si një imponim nga BE-ja por jo si domosdoshmëri që Kosova përmes tij t’i zgjidh problemet e mbetura me Serbinë dhe të ecë pastaj në rrugën e saj dhe ta përfundojë procesin e shtet formimit.
Nga një varg politikanësh zotëri Kurti është nga ata që më së shumti e favorizon “status-quo” që Kosova të mbetet në këtë situatë të paqartë të raporteve të pazgjidhura me Serbinë dhe duke qenë kështu ai përdor të gjitha këto taktika që ta zvarrisë dialogun edhe ta dështojë. Duke njohur konceptin politik të Kurtit kjo është në vijë asaj që ai mendon se duhet të prodhojë dialogu mbi të gjitha sikurse edhe politikanët tjerë nuk kanë guxim të futen në një proces që do të prodhonte zgjidhje të guximshme”, tha Murati.









