Ministri për Çështje Europiane, Orhan Murtezani, në një paraqitje të fuqishme për media, bëri bilancin e vitit të parë të Qeverisë duke theksuar se Maqedonia e Veriut ka përfunduar të gjitha procedurat ligjore para vendeve të tjera të rajonit. Ai theksoi me vendosmëri se vendi është në rrugë të sigurt për integrim evropian – jo përmes premtimeve boshe, por përmes reformave konkrete dhe guximshme.
“Një vit më parë filluam me një synim të qartë: t’i japim një shtytje të re agjendës evropiane të vendit. Sot, pas 12 muajve punë të përkushtuar, kemi jo vetëm llogaridhënie – kemi rezultate që hapin horizonte të reja”, deklaroi Murtezani.
Ai u shpreh se vendi tashmë ka kapërcyer shumë nga pengesat që kanë ndalur përparimin për vite të tëra. Reforma në sundimin e ligjit, forcimi i shtetit ligjor, rritja e transparencës dhe përfshirja e shoqërisë civile janë vetëm disa nga shtyllat ku, sipas tij, po ngrihet e ardhmja evropiane e vendit.
Murtezani kujtoi edhe mesazhin e qartë të kryeministrit Mickoski:
“Qeveria jonë nuk premton mrekulli – premton punë të ndershme dhe të qëndrueshme. Ky është parimi ynë, dhe në Ministrinë për Çështje Europiane po e zbatojmë çdo ditë.”
Ai theksoi se gjatë këtij viti janë implementuar politika reale, janë aktivizuar fonde dhe janë ndërmarrë hapa konkretë drejt afrimit me Bashkimin Evropian.
“Evropa nuk është më një ëndërr e largët – ne po e ndërtojmë këtu, me duart tona, me ligje të forta, me institucione funksionale dhe me vullnet politik,” përfundoi ministri Murtezani me ton të vendosur.