Nga: Michael Moritz, miliarder dhe filantron uellsian, ish-gazetar, investitor në Luginën e Silikonit, ish-anëtar bordi i PayPal-it dhe investitor në SpaceX / The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com
Njëri e sheh qeverinë si kompani. Tjetri e konsideron qeverinë si kompaninë e vet. Kushdo që ka punuar në Luginën e Silikonit [Silicon Valley] e di se kë duhet të zgjedhë. Për rezultate, menaxhimi modern mposht sundimin mesjetar.
Përplasja mes Elon Muskut dhe Donald Trumput ka jehuar në mbarë botën. Duhet të jetë e turpshme për ata në Luginën e Silikonit që i dhanë mbështetje presidentit, duke menduar se ai do të zvogëlonte qeverinë federale. Me largimin e Muskut, çdo shpresë për një qasje të disiplinuar ndaj qeverisë amerikane dhe buxhetit do të shkojë huq. Musku ka të drejtë; buxheti i Trumpit është i neveritshëm.
Kam më shumë se mirëkuptim për Muskun. Ndryshe nga të tjerët, nuk besoj se ai u fut në këtë betejë për përfitime personale apo për të siguruar marrëveshje për kompanitë e tij. Ai, si shumë të tjerë, ishte i zhgënjyer nga Partia Demokratike e cila kishte humbur busullën, kishte keqmenaxhuar Kaliforninë dhe udhëheqësi i saj, Joe Biden, kishte lejuar që kotësia të mbizotëronte mbi virtytin. Fatkeqësisht, ai e gjykoi gabimisht karakterin e njeriut me të cilin u bashkua.
Musk e di mirë çfarë kërkohet për të menaxhuar një perandori të gjerë me sa më pak humbje. Pavarësisht aktiviteteve të tij anësore, fiksimit për riprodhim dhe shpërthimeve emocionale, ai është ndërtuesi më i suksesshëm i bizneseve të gjeneratës së tij. Ai vetë hapi rrugën për elektrifikimin global të automjeteve dhe me SpaceX (dhe pasardhësin Starlink) ka lënë NASA-n në hije, duke premtuar njëkohësisht ndryshimin e mënyrës se si komunikojmë.
Por, qeveria nuk është kompani, dhe Musku – megjithëse i saktë në vlerësimin e tij për burokracinë e tepruar federale, klimën mbytëse rregullatore dhe gjendjen e pasigurt të bilancit financiar të ShBA-së – nuk e kuptoi se Trumpi ishte më shumë i interesuar për ciklin ditor të lajmeve sesa për reformat. Musku është revolucionari, presidenti është monarku.
Musk gjithashtu e nënvlerësoi mënyrën se si kabineti dhe këshilltarët e Trumpit, bashkë me të gjithë ata që ai kishte në shënjestër, ishin të vendosur ta luftonin. Ai ishte i huaji. Ata ishin banorët e kënetës.
Për krahasim, Trumpi nuk i zotëron as njohuritë e Muskut në biznes dhe as përqendrimin e tij. Që nga inaugurimi, ai e ka drejtuar qeverinë njësoj siç i ka drejtuar bizneset e veta: duke rritur borxhin deri në qiell, duke tradhtuar punonjësit, ndërsa vetë ka dalë i paprekur.
Ndërkohë që Musku ndërmori një sulm kokë më kokë ndaj qeverisë, Trump u mor me detyra të tjera si marrja nën kontroll e Qendrës Kenedi [Kennedy Center], përpjekja për të shkarkuar drejtuesin e Galerisë Kombëtare të Portreteve [National Portrait Galery], riemërtimi i bazave dhe anijeve ushtarake, boshatisja e bibliotekave shtetërore, planifikimi i paradës së ditëlindjes dhe, më e rëndësishmja, sigurimi i një aeroplani të denjë për një pasha.
Cili është rezultati i këtij takimi mes ndërtuesit të kompanive dhe monarkut mesjetar? Është e kundërta e asaj që ishte premtuar: një buxhet amerikan që është fryrë, nivele borxhi që vetëm do të rriten dhe me pagesa të papërballueshme interesi që e bëjnë vendin të cenueshëm ndaj kreditorëve më të mëdhenj – Japonisë dhe Kinës.
Fatkeqësisht, shkurtimet minimale që Doge [Departamenti i Efikasitetit të Qeverisë/Department of Government Efficiency] ka bërë – si ato në ndihmën e huaj dhe në Zërin e Amerikës [Voice of Amerika] – vetëm sa kanë dobësuar pozicionin ndërkombëtar të ShBA-së. Dhe, brenda vendit, falë fiksimit të Trumpit me tarifat, asnjë biznes në Amerikë nuk mund të planifikojë diçka përtej vaktit të drekës.
Pastaj është breshëria e urdhrave me marker [modeli Sharpie] që, nëse nuk ndalen, do të forcojnë Kinën dhe do të dobësojnë Luginën e Silikonit – përbuzja ndaj rigorozitetit shkencor, shkurtimet në financimin për kërkim dhe zhvillim, anulimi i kontratave me universitetet, kufizimet për vizat e studentëve më të zgjuar nga jashtë. Këto ishin shtyllat e suksesit madhor të vetë Muskut dhe përbëjnë në thelb zbrazjen e së ardhmes së Amerikës.
Ndërkohë që Musku është larguar nga Uashingtoni me reputacion të njollosur dhe me bizneset e dëmtuara, familja e presidentit ka nënshkruar marrëveshje për hotele dhe fusha golfi në mbarë botën. Tarifat e anëtarësimit në Mar-a-Lago, strehën e tij në Floridë, janë rritur ndjeshëm vitin e kaluar. Dhe, ai po përfiton nga entuziazmi i mbështetësve të tij me një memekoin të diskutueshëm të tij të lansuar disa ditë para inaugurimit.
Një këshillë për ata në Luginën e Silikonit që ndoqën shembullin e Muskut dhe u rreshtuan me Trumpin: Largohuni. Mos e mashtroni veten se po punoni për ta bërë kriptomonedhën pjesë të financave globale, për të minimizuar rregulloret për inteligjencën artificiale, për të ndihmuar startapet apo për të mbrojtur interesat e Luginës së Silikonit. Ju nuk keni asnjë ndikim. Ju jeni vetëm mish për top. /Telegrafi