Ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa thotë se nuk është asgjë e re tentimi i VV-së për ta miratuar Ligjin për Zgjedhjet në orët e vona të natës së mbrëmshme. Mustafa tha se Kosova do të dëmtohet nga praktikat dhe mentalitetet e tilla dhe sipas tij kësaj situate i thuhet “Keni dëshiruar, shikoni”.
Kryeministri Albin Kurti mbrëmë në mbledhjen e qeverisë procedoi tutje për në Kuvendin e Kosovës shqyrtimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.
Megjithatë, në seancën e thirrur në orën 21:30, nuk kaloi propozimi i VV-së që shqyrtimi i tij të bëhet me procedurë të përshpejtuar pasi nuk mori 2/3 e të pranishmëve në Kuvend si pasojë e votimit kundër nga opozita.
Lidhur me këtë zhvillim, ish-kryeministri Isa Mustafa ka folur për Gazetën Express i cili i tha se nuk është befasuar ngase populistët që kanë fituar zgjedhjet.
“Unë nuk shoh asgjë të re dhe befasuese nga popullistët, që i fituan zgjedhjet. Popullizmi dhe vota populliste prodhon sjellje te tilla, të cilat s’kanë asgjë të përbashkët me demokracinë. Kësaj situate i thonë : “Keni dëshiruar, shikoni”, tha ish-kryetari i LDK-së të shtunën.
Ai u shpreh i bindur se Kosova do të dëmtohet nga praktikat dhe mentalitetet e tilla.
“Për fatin tonë të keq, vendi do të dëmtohet nga praktikat dhe mentalitetet e tilla. Jam shumë i bindur”, tha ish-kryetari i Prishtinës.









