Bashkimi Demokratik për Integrim ka filluar sot fushatën për zgjedhjet e parakohshme parlamentare nga Prespa, me shpalosjen e kandidatit për kryeministër shqiptar.
Naser Ziberi edhe zyrtarisht është kandidati i BDI-së për kryeministër shqiptar në Maqedoni. Ziberi ka thënë se oferta e BDI-së e ka befasuar për të mirë. Sipas tij, kjo është historike për vendin pasi shqiptarët kanë kthyer besimin në institucione dhe kanë filluar të ëndërrojnë.
Ndërkohë, kryetari, Ali Ahmeti, ka thënë se, me këtë propozim shqiptarët nuk janë vetëm qiraxhinj por edhe zot të shtëpisë në Maqedoninë e Veriut.
Naser Ziberi ka lindur në vitin 1961 në fshatin Llaskarcë të Shkupit, komuna e Sarajit. Ai ka përfunduar Fakultetin Juridik dhe aktualisht ushtron profesionin e noterit. Ziberi në të kaluarën ka qenë funksionarë i lartë i PPD-së. Tre herë është zgjedhur për deputet, në zgjedhjet 1990, 1994 dhe 1998. Në periudhën 1996-98 ka qenë ministër i Punës dhe Politikës Sociale, si dhe zëvendëskryeministër i Maqedonisë së Veriut.










