“NATO të përgatitet për një sulm vdekjeprurës hibrid”/ Polonia ngre alarmin: Nëse fillojnë të vdesin njerëz, atëherë…

Ministri i Jashtëm polak, Radoslaw Sikorski, i ka bërë thirrje NATO-s të përgatitet për një përgjigje vendimtare ndaj një sulmi të mundshëm hibrid vdekjeprurës nga Rusia.

Paralajmërimi vjen në një kohë kur vendet europiane raportojnë incidente të lidhura me operacionet e dyshuara ruse të destabilizimit, ndërsa tensionet janë shtuar edhe në Detin e Zi.

Në një intervistë për Financial Times, Sikorski deklaroi se rreziku që operacionet ruse të shkaktojnë viktima njerëzore po rritet, duke argumentuar se Aleanca Atlantike duhet të nisë diskutimet për mënyrën se si do të reagojë në rast të një sulmi të tillë.

“NATO të përgatitet për një sulm vdekjeprurës hibrid. Pyetja është se çfarë përbën një sulm, një sulm ndërkufitar, dhe për sa kohë që bëhet fjalë për pronë, kjo është një gjë, por nëse njerëzit fillojnë të vdesin, atëherë do të duhet të kemi një bisedë tjetër shumë serioze në NATO”, u shpreh ministri polak.

Sikorski theksoi se përcaktimi i momentit kur veprimet e Moskës kalojnë një vijë të papranueshme është çështje gjykimi dhe se nuk ekziston një përkufizim i vetëm, i paracaktuar, për të gjitha situatat.

Kreu i diplomacisë polake u kërkoi vendeve europiane të ndërmarrin masa më të forta ndaj Rusisë, përfshirë mbylljen e konsullatave ruse, kufizimin e lëvizjes së diplomatëve të Moskës dhe reduktimin e numrit të tyre në vendet europiane.

Ai propozoi gjithashtu shtrëngimin e kontrolleve për shtetasit rusë që hyjnë në Bashkimin Europian, duke kërkuar që ata të pajisen me pasaporta biometrike për të parandaluar përdorimin e identiteteve të rreme.

Një tjetër masë e propozuar është kufizimi i vizave turistike për qytetarët rusë. Sipas të dhënave të përmendura në raportim, gjatë vitit të kaluar janë lëshuar afro 500 mijë viza të tilla për shtetasit rusë.

Ndërkohë, Polonia dhe Estonia i janë drejtuar Nenit 4 të Traktatit të NATO-s pas incidenteve të raportuara me shkeljen e hapësirës ajrore nga dronë dhe avionë luftarakë rusë. Ky nen parashikon konsultime mes aleatëve kur një prej tyre vlerëson se siguria, integriteti territorial apo pavarësia politike është e kërcënuar.

Ndërsa tensionet në Europë vijojnë të rriten, një sulm rus goditi një ndërtesë banimi në lagjen Kholodnohirskyi të qytetit ukrainas të Kharkivit, gjatë natës nga e hëna në të martë.

Sipas kryebashkiakut të Kharkivit, Igor Terekhov, tre persona humbën jetën dhe dhjetë të tjerë mbetën të plagosur. Trupat e viktimave u gjetën nën rrënojat e ndërtesës së goditur, ndërsa ekipet e kërkim-shpëtimit vijuan punën gjatë natës.

Sulmet ndaj qyteteve ukrainase dhe infrastrukturës civile mbeten një nga shqetësimet kryesore të konfliktit që vijon mes Rusisë dhe Ukrainës.

Një tjetër incident është raportuar në Detin e Zi, ku dy anije janë goditur pranë brigjeve të Bullgarisë.

Sipas raportimit, autoritetet bullgare u njoftuan fillimisht për një anije në rrezik rreth orës 01:30, sipas orës lokale. Ekuipazhi i shpëtuar deklaroi se anija, e cila mbante flamurin e Maltës dhe ishte në pronësi ukrainase, ishte goditur nga tre dronë ajrorë.

Më pas, një anije e dytë u godit dhe u fundos. Sipas informacionit të bërë publik, një anëtar i ekuipazhit të saj u shpëtua.

Kryeministri bullgar, Rumen Radev, i cilësoi incidentet si të papranueshme dhe njoftoi se kishte informuar NATO-n. Ai bëri të ditur gjithashtu synimin për të thirrur ambasadorin rus lidhur me zhvillimet. /Top Channel/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu