Kalimi i komandës në Napoli te Italia dhe në Norfolk te Britania shënon një rritje të përgjegjësisë evropiane për sigurinë, duke reflektuar një rol më të kufizuar të SHBA-ve në rajone si Ballkani.
Në Mynih, ndërsa Konferenca e Sigurisë po nis diskutimet për arkitekturën e re të sigurisë globale, lajmi që vjen nga selia e NATO-s e bën të qartë se ajo që u paralajmërua një vit më parë nga Washingtoni nuk ishte retorikë diplomatike, por paralajmërim për një ndryshim real.
Përpara se të dëgjohen fjalimet, struktura e Aleancës po flet vetë.
Aleanca e NATO-s njoftoi më 6 shkurt 2026 se aleatët evropianë do të marrin role udhëheqëse në strukturën e komandës, duke përfshirë kalimin e Joint Force Command Naples nën drejtim italian dhe të Joint Force Command Norfolk nën drejtim britanik.Të dyja këto komanda, deri më tani, drejtoheshin nga Shtetet e Bashkuara.
Vendimi synon ndarjen më të drejtë të barrës brenda Aleancës dhe rritjen e përgjegjësisë operative të vendeve evropiane, ndërsa Washingtoni ruan drejtimin e disa komandave kyçe ajrore, detare dhe tokësore.Sa i përket KFOR, burimet zyrtare nuk paralajmërojnë ndryshim të menjëhershëm të misionit apo të komandimit të tij.
Megjithatë, pesha e këtij vendimi nuk qëndron vetëm te riorganizimi formal, por te domethënia që ai mbart për rajonet që historikisht kanë qenë nën ombrellën e drejtpërdrejtë amerikane dhe Ballkani është një prej tyre.
Komanda e Napolit ka qenë nyja përmes së cilës janë drejtuar operacionet në jug të Evropës dhe në Ballkan që nga fundi i luftërave të viteve ’90, ndërsa komanda e Norfolkut është nyja e sigurisë transatlantike në Atlantikun e Veriut.
Kur të dyja këto komanda kalojnë nga SHBA-të tek aleatë evropianë, mesazhi nuk është teknik, por strategjik.
Mesazhi është se Evropa duhet të mësojë të drejtojë sigurinë e vet pa Amerikën në krye të zinxhirit komandues.
Kjo nuk nënkupton tërheqje të menjëhershme amerikane, por nënkupton ndërtimin e një arkitekture ku prania amerikane nuk është më thelbësore për funksionimin e sigurisë në rajone si Ballkani.
Këtu lind pyetja e pashprehur publikisht. Çfarë ndodh me KFOR-in në një realitet ku Evropa merr përgjegjësinë e plotë operacionale. Dhe mbi të gjitha, çfarë ndodh me Camp Bondsteel?
Bondsteel ka qenë për më shumë se dy dekada simboli i garancisë amerikane për sigurinë e Kosovës dhe për ekuilibrin e frikës në rajon. Por nëse logjika e re e NATO-s është që Evropa mban barrën e sigurisë, atëherë arsyeja strategjike për një bazë të kësaj natyre fillon të zbehet.
Ballkani sot nuk prodhon më rrezik strategjik për fuqitë e mëdha, dhe për këtë arsye ai del nga lista e prioriteteve që kërkojnë praninë e drejtpërdrejtë amerikane.
Rajoni kalon nga faza e menaxhimit ushtarak në fazën e menaxhimit politik evropian.
Në këtë kuptim, ndryshimi i komandave në Napoli dhe Norfolk është një paralajmërim i qetë për një tranzicion më të gjerë. Një proces ku Evropa bëhet garantuese e sigurisë në hapësirat e saj, ndërsa Amerika largohet gradualisht nga roli i rojtarit të fundit.
Nëse kjo logjikë vijon, diskutimi për praninë amerikane në Bondsteel nuk do të vijë si pasojë e një krize, por si pasojë natyrale e një realiteti të ri strategjik, ku Ballkani nuk shihet më si vatër e mundshme shpërthimi, por si një kapitull i mbyllur i historisë së sigurisë evropiane.










