Shefat e shtabeve të të gjitha vendeve të NATO-s kanë zbarkuar sot në Tiranë, në kuadër të Komitetit ushtarak të Aleancës.
I pari që mori fjalën, ishte kryeministri Edi Rama, i cili e ndau historinë e NATO-së në 3 etapa duke vlerësuar kontributin e Aleancës edhe në një kohë të vështirë për rajonin. Ai tha se sot Shqipëria është NATO dhe merr pjesë në të gjitha misionet me gjithë resurset e kufizuara të vendit.
Në fund kryeministri kujtoi një shprehje të Nënë Terezës, shenjtores shqiptare e cila thotë “Jo të gjithë në mund të bëjmë gjëra të mëdha por të gjithë mund të bëjmë gjëra të vogla me përkushtim të madh”.
PJESË NGA FJALA E RAMËS
Mbledhja për herë të parë në Shqipëri e komitetit ushtarak të NATO-s i jep këtij takimi një përmasë historike për mua dhe për ministren e re të Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë si dhe për të gjithë FA-të e vendit tonë është një nder i veçantë dhe padyshim një kënaqësi e jashtëzakonshme t’ju kemi sot këtu në vendin tonë.
Nuk besoj se ekziston një tjetër rast kur të kesh në shtëpi kaq shumë miq që i sjellin shtëpisë kaq shumë siguri.
Kam pasur mundësi ta shoh nga afër transformimin e konsiderueshëm të NATO-s që sipas Stoltenberg ka hyrë në moshë të tretë. Dy samite historike në Uells, Në Varshavë. Në Bruksel kanë shënuar një transformim të Aleancës. NATO e parë e periudhës 1949 ishte sa e huaj për Shqipërinë zyrtare aq edhe pak e nga pak, vit pas viti një pikë referimi shprese për popullin shqiptar. Një popull që kishte shumë më tepër armë se sa liri dhe se sa mirëqenie. NATO e dytë, 1989-2014 ishte edhe e jona.
Duke kaluar kufijtë e saj të vjetër, NATO ndërpreu dhe një spastrim të egër në Europë. Mbijetesa e popullsisë dhe liria që gëzojnë sot Bosnja dhe Kosova, janë fryt i NATO-s së dytë që përfshiu në misionin e saj edhe lirinë e popujve që jetonin jashtë kufijve të saj.
Shqipëria në NATO shënon një gur të rëndësishëm kilometrik në historinë e vendit që për shumë kohë, dekada vuajti pasojat e ndarjes nga bota e zhvilluar, perëndimi.
Ndërsa sot kur NATO e tretë ka marrë trajtë, Shqipëria është vetë NATO e duhet të masë përgjegjësitë.
Ne kemi arritur t’i bashkohemi NATO-s në një nivel proporcional. Misionet e Shqipërisë në NATO deri më sot nuk kanë marrë asnjë votë kundër në Kuvendin e Shqipërisë. Pjesëmarrja jonë në NATO nuk ka qenë e lehtë për resurset e kufizuara të vendit.
Shqipëria si një vend që ndërvepron në shumë mënyra me këto vende ka një përgjegjësi që kjo pjesë e rajonit të shndërrohet në faktor të qëndrueshmërisë. Ne kemi arritur jo pak në një proces që vazhdon.
Nënë Tereza do ketë patur parasysh shqiptarët kur ka thënë “Jo të gjithë në mund të bëjmë gjëra të mëdha por të gjithë mund të bëjmë gjëra të vogla me përkushtim të madh”.










