Nxënësit shqiptarë të shkollës fillore “Todor Janev” deri në fund të këtij viti shkollor do të vazhdojnë të ndjekin mësimin në të njëjtin objekt, ndërsa prej vitit të ardhshëm do të zhvendosen në objekt të ri, u zotua kryeministri Talat Xhaferi, pasi gjatë ditës vizitoi disa vendbanime në këtë pjesë të Velesit.
Ndarje etnike për nxënësit e Çashkës / Për ata shqiptarë premtohet objekt i ri që ende nuk ka nisur
Ndonëse shkolla e re ende nuk ka nisur të ndërtohet, ndarja e nxënësve në dy objekte është zgjidhja që ka ardhur mes prindërve, pas protestave të atyre maqedonas të cilët nuk lejonin mësimin shqip në Çashkë. Xhaferi tha se në rrjedhë janë procedurat për themelimin e një subjekti të ri të shkollës së re në të cilën do të mësohet shqip.
Po pse problemi nuk u zgjidh në objektin e njëjtë? Xhaferi thotë se me ligj është e vendosur që në këtë shkollë të mësohet vetëm maqedonisht.
“Dokumentet themeltare themeluese të subjekteve janë që në këtë shkollë do të mësohet në gjuhën maqedonase, e thotë statuti dhe gjithë të tjerat kompromisi kjo punë nuk është bërë në kabinet është bërë konsultime edhe me prindërit që kanë fëmijë këtu dhe ndërtimi i subjektit të ri i cili me atë themelim mësimin edukativo-arsimor domethënë procesin do ta zbatojë në gjuhën e vet amtare, këto janë aspektet, kontestet juridike të procedurave”, tha Xhaferi.
Ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri, u shpreh se në objektin e ri ka gjasa të transferohen edhe 80 nxënës shqiptarë që aktualisht mësimin e ndjekin në maqedonisht. Sipas tij, objekti i ri do të jetë në fshatin Banjicë.
“Ata fëmijë që janë atje dhe fëmijët e rinj të cilët do të regjistrohen dhe çdonjëri tjetër që do të ketë nevojë komfort ligjit të arsimit fillor dhe mundësive për të transferuar në bazë të mundësive financiare nga Ministria e Arsimit nuk shoh asnjë lloj pengesë ligjore që edhe tjerët nxënës sigurohet kuadro të transferohen”, është shprehur Shaqiri.
Kryetari i Çashkës, Goran Stojanovski ndarjen e nxënësve në baza etnike nuk e sheh si zgjidhje, ndonëse në kohën kur prindërit protestonin, ai nuk ndërhyri tek bashkëqytetarët maqedonas për tќua thënë këtë gjë. “U bënë protestat dhe këtu u përzi edhe politika, duke pasur parasysh procesin parazgjedhor”, u përgjigj shkurt Stojanovski.










