Ndodh edhe kjo! 47-vjeçari drejtonte një ambasadë të rreme, policia sekuestroi targa diplomatike dhe foto të rreme me liderë botërorë

Policia indiane ka arrestuar një burrë të dyshuar për drejtimin e një ambasade të rreme nga rezidencë që e kishte marrë me qira pranë Delhit, përcjell TV21. Nga personi në fjalë janë sekuestruar edhe automjete me targa diplomatike të falsifikuara.

I dyshuari, Harshvardhan Jain, 47 vjeç, pretendohej se paraqitej si ambasador dhe mashtronte qytetarë duke u premtuar punësim jashtë shtetit në këmbim të parave, tha oficeri i lartë i policisë Sushil Ghule nga task-forca speciale e shtetit Uttar Pradesh në Indinë veriore.

Sipas autoriteteve, Jain kishte pretenduar se ishte këshilltar ose ambasador për entitete si “Seborga” apo “Westarctica” – vende apo organizata që nuk janë të njohura zyrtarisht.

Policia ka sekuestruar disa fotografi të manipuluara ku Jain shfaqet me liderë botërorë, si dhe vula të falsifikuara të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Indisë dhe të afro tri dhjetë shteteve të tjera, bëri të ditur Ghule.

Po ashtu, Jain dyshohet për pastrim parash nëpërmjet kompanive jashtë vendit dhe përballet me akuza për falsifikim, uzurpim identiteti dhe posedim të dokumenteve të rreme.

Në ambientet e tij me qira, të zbukuruara me flamuj të ndryshëm ndërkombëtarë, policia gjeti katër automjete me targa diplomatike të falsifikuara, rreth 4.5 milionë rupi indiane (rreth 38 mijë paund britanikë) dhe valutë të huaj në para të gatshme.

As Jain dhe as përfaqësuesi i tij ligjor nuk janë prononcuar ende për rastin.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu