Edhe në Republikën e Sllovenisë, ashtu sikurse në shumicën e vendeve, kemi një mërgim të hershëm të shqiptarëve, sidomos nga trevat e Kosovës. Këtu shqiptarët janë prezentë thuajse menjëherë, diku pas luftës së Dytë Botërore, domethënë që nga koha e krijimin e shtetit Jugosllavë, në të cilin shtet bënin pjesë si njësi përbërëse, Sllovenia si republikë ndërsa shteti i Kosovës, si krahinë autonome.
Nga atëherë, gjendja e rëndë ekonomike dhe më vonë, edhe politike, i detyroi shqiptarët të kërkojnë dhe gjejnë kushte më të mira jetese në këtë shtet, i cili që nga fillimi dallohej për nga standardi jetësor, në krahasim me njësitë tjera të ish federatës Jugosllave. Sllovenia ishte një republikë ndryshe përbrenda ish-Jugosllavisë me ekonomi të liberalizuar dhe një frymë më evropiane. Shteti i ri që sot i ka mbi 2 milionë banorë ka vazhduar me trende të njejta të zhvillimit duke qenë vend shembull përbrenda BE-së.
Në fillim, kishim një numër të vogël të punëtorëve krahu në Slloveni, mirëpo keqësimi gjithnjë e më i keqi gjendjes politike në Kosovë, bëri që numri i shqiptarëve atje të rritej, ndërsa sot, sipas të dhënave statistikore, në slloveni numri i shqiptarëve është 6.228 që është nxjerrë në bazë të 0.31% të shqiptarëve nga numri i përgjithshëm i banorëve në Slloveni. Një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve është nga Maqedonia, të cilët kanë bizneset e tyre sidomos në sferën e hotelierisë, restoranteve, pastiçerive dhe biznese të tjera të vogla.
Shumica e shqiptarëve, të cilët emigruan, me kohë tërhoqën edhe familjet e tyre në këtë shtet dhe tani janë të integruar mirë. Por, nëse nuk punohet më tepër me ta, ekziston një rrezik i madh i asimilimit të shpejt apo i shkrirjes së tyre. Duhet të theksojmë se në Slloveni kemi edhe mjaft shqiptarë të suksesshëm në biznese të ndryshme, të cilët në kohën e pasluftës në Kosovë sollën mjaft kapital dhe firme sllovene cilët po ndihmojnë në rimëkëmbjen e ekonomisë kosovare.