Ndryshime kufijsh në Ballkan? Presidenca: S’marrin pjesë në tryeza që diskutojnë territorin e Kosovës

Presidenca e Kosovës ka reaguar pas lajmeve që po qarkullojnë, ku thuhet se po mendohet për një ndryshim territoresh në Ballkan. Reagimi ka ardhur nga këshilltari për mediat i presidentes, Vjosa Osmani, Bekim Kupina, ku ky i fundit ka hedhur poshtë lajmin e publikuar sot në mediat sllovene.

Sipas Bekim Kupinës, lajmi i publikuar në mediat sllovene është i rremë.

Më tej ai është shprehur se Presidenca nuk do të përfshihet në asnjë tryezë ku diskutohet për ndryshime të kufijve të territorit të Kosovës.

“Ne nuk mund t`i komentojmë artikujt e mediave. Sido që të jetë, pas komunikimit me ta, përfaqësuesit e shtetit slloven kanë bërë të ditur se artikulli të cilit i referoheni ju është një lajm i rremë, ndaj ekzistenca e tij është mohuar nga autoritetet sllovene. Po ashtu, një gjë të tillë e kemi konfirmuar edhe pas bisedave që kemi pasur me Brukselin.

Qëndrimi i Presidentes Osmani është i njohur. Nuk pranojmë dhe nuk do të jemi pjesë e asnjë lloj dialogu që temë diskutimi e ka territorin e Republikës së Kosovës, që prekë tërësinë territoriale dhe rendin kushtetues të saj”, ka thënë Kupina.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu