Në një tubim të organizuar nga Shoqata e Luftëtarëve dhe Përkrahësve të Idealeve të Luftës Antifashiste në Dibër, u shënua 100-vjetori i lindjes dhe 80-vjetori i vrasjes së heroit të popullit, Liman Kaba. Në këtë aktivitet morën pjesë edhe anëtarë të familjes Kaba nga Dibra, si dhe përfaqësues të pushtetit vendor, të kryesuar nga kryetari i Komunës, Hekuran Duka. I pranishëm ishte edhe një delegacion i Shoqatës së Veteranëve të Luftës nga Shqipëria.
Gjatë këtij aktiviteti u theksua se Dibra, gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, ka dhënë dy heronj të popullit: Liman Kabën dhe Ibe Palikuqën. “Dibra gjithmonë ka qenë në anën e aleancës që ka qenë në drejtim të së drejtës”, theksoi kryetari i Komunës, Hekuran Duka.
Argjent Kaba, anëtar i familjes Kaba, foli për rrugëtimin luftarak dhe politik të heroit Liman Kaba, i cili dha jetën për liri në Krizh të Kroacisë, në një moshë shumë të re.
Në këtë event përkujtimor u promovua edhe zarfi zyrtar me fotografinë dhe biografinë e heroit Liman Kaba, i cili është botuar në kuadër të projektit “Heronjtë e popullit të Maqedonisë në LNÇ 1941-1945”, nga ana e Lidhjes së Filatelistëve të Maqedonisë së Veriut, ku përfshihen edhe heronj të tjerë dibranë.
Sekretarja e Shoqatës së Luftëtarëve të LNÇ-së dhe përkrahësve të saj në Dibër, Marionka Ushtelenca, deklaroi se në Dibër respektohen aktivitetet e shoqatës dhe se ka një vëmendje të veçantë për bustet e heronjve të popullit dhe luftëtarëve të LNÇ-së 1941–1945. Të gjitha bustet që gjenden në parkun e Dibrës mirëmbahen dhe respektohen nga qytetarët, pa marrë parasysh përkatësinë etnike apo fetare. Shoqata e Dibrës gëzon bashkëpunim të shkëlqyer jo vetëm me shoqatat simotra në vend, por edhe me Shoqatën e Veteranëve të Luftës Antifashiste të Shqipërisë, veçanërisht me atë të Peshkopisë. Megjithatë, siç informoi sekretarja Ushtelenca, shoqata përballet në vazhdimësi me probleme financiare, duke shtuar se organizata duhet t’i tejkalojë këto vështirësi për të vazhduar veprimtarinë e saj.