Në fillim India e tani Spanja, ekipit të karatesë së Kosovës nuk i lejohet hyrja me simbole shtetërore

Tjetër pengesë për Kosovën në sport. Pas ndalimit nga India për simbolet shtetërore të Kosovës në kampionatin e boksit, Donjeta Sadiku nuk mori pjesë në këtë event. Tashmë situata është përsëritur dhe këtë herë nga Spanja për kampionatin e karatesë që zhvillohet atje.

Organet shtetërore kanë penguar pjesëmarrjen e sportistëve kosovarë në Kampionatin Evropian të karatesë për senior “Guadalajara”.

Përmes një komunikate, Federata e Karatesë e Kosovës (FKK) ka bërë të ditur se pavarësisht ftesës zyrtare nga Federata e Karatesë e Spanjës, ishin organet shtetërore spanjolle të cilat nuk furnizuan ekipin kosovar me viza speciale për sportistë, meqë ky shtet nuk e njeh Kosovën.

Më tej, FKK njofton se pavarësisht vështirësive të shumta, ekipi kosovar arrin të jetë prezent në Evropianin “Guadalajara” që zhvillohet në Spanjë nga data 22 deri më 26 mars.

Me një ekip prej 11 personash, presidenti i FKK-së, Avni Gashi, trajneri, dy gjyqtarë dhe shtatë garues elitar udhëtuan për në garë ku pas paraqitjes, matjeve dhe përfundimit të pagesave për pjesëmarrje në garë u komunikua se institucionet spanjolle nuk lejojnë organizatorin që të paraqesë simbolet shtetërore (himnin, flamurin e as mbishkrimin Kosovë) në asnjë prej hapësirave brenda palestrës përfshirë edhe monitorët në arenë.

Ndërkaq, presidenti i FKK-së, Avni Gashi konfirmoi se ekipi kosovar ka pasur ofertën edhe për tu paraqitur në garë por pa simbole shtetërore, por që kjo ofertë ishte refuzuar menjëherë nga ata.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu