Në korrik u paguan 16,5 milionë euro për ndërtimin e autostradave në korridoret 8 dhe 10d

Në korrik të këtij viti, përmes Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore (NPRRSH) u paguan 1.022.217.192 denarë (16,5 milionë euro) konsorciumit “Behtel dhe Enka”, kontraktor i pjesëve të autostradës në korridoret 8 dhe 10d (Tetovë-Gostivar, Gostivar-Bukojçan dhe Prilep-Manastir).

Sipas Raportit nga mbikëqyrja e progresit të punëve, në korrik kontraktori vazhdoi të kryente punime kryesisht për punime hetimore gjeoteknike, projektim dhe specifikime të autostradës, projektim shpronësimi, aktivitete hetimi të municioneve të pashpërthyera, punime të përkohshme për menaxhimit të trafikut dhe punime mobilizimi dhe aktivitete ndërtimi kryesisht për punime tokësore, drenazh dhe konstruksione.

Aktivitet ka për seksionet Tetovë-Gostivar (18 kilometra), Gostivar-Bukojçan (30 kilometra) dhe Prilep-Manastir (40 kilometra), ndërsa për seksionin e katërt Trebenishtë – Qafthanë (22 kilometra), traseja duhet të rishikohet në mënyrë që të ruhet statusi i mbrojtur i Liqenit të Ohrit dhe rajonit.

Sipas Raportit, në vijim është duke u punuar në pesë ura, katër mbikalime dhe dy nënkalime. Deri në fund të korrikut të këtij viti, janë gërmuar 3,2 milionë metra kub tokë dhe janë vendosur 706.500 metra kub material për mbushje.

Gjatë këtyre aktiviteteve, kontraktori punësoi 2172 persona dhe 1181 makineri ndërtimi që nga korriku.

Që nga fillimi i vitit, për “Behtel dhe Enka” kishte dy pagesa në prill prej 599.794.350 denarë dhe 524.972.228 denarë, si dhe nga një në maj prej 681.026.665 dhe në qershor prej 830.336.364 denarë. Njëherit, deri në fund të vitit të kaluar janë paguar 261 milionë euro.

Aktivitetet në terren në përputhje me Marrëveshjen me “Behtel dhe Enka” në vlerë prej 1,3 miliardë euro zbatohen që nga 22 prilli 2023.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu