Albin Kurti ka deklaruar se ende nuk i ka nisur diskutimet me partitë e tjera lidhur me formimin e Qeverisë së re të Kosovës.
“Tepër shumë punë këto ditë, analiza e rezultateve nga qendrat. Na duhet t’i shohim kontributet që i kanë pasur fushatat nëpër komuna me rezultatin që kemi arritur, në mënyrë që sa më shpejt të fillojmë me fushatën për balotazhe. Andaj dje dhe sot nuk kam arritur ende që t’i zhvilloj ato komunikime. Por, po e bëjmë një plan edhe për këtë gjë. I kemi më shumë se dhjetë ditë.”
Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka mirëpritur procesin zgjedhor paqësor në Kosovë dhe është shprehur i kënaqur që në raundin e parë të zgjedhjeve lokale pati pjesëmarrje të të gjitha komuniteteve. Sipas Radios Evropa e Lirë, zëdhënësja e BE-së, Anitta Hipper, ka bërë thirrje për një certifikim sa më të shpejtë të procesit:
“Për ato komuna ku kryetarët janë zgjedhur në raundin e parë, ne bëjmë thirrje për një certifikim të shpejtë dhe zbatim të rezultateve të zgjedhjeve përmes një tranzicioni të rregullt të pushtetit lokal. Për komunat e tjera, ku do të zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetar komune, bëjmë thirrje për një proces po aq paqësor, konkurrues dhe gjithëpërfshirës më 9 nëntor.”
Një delegacion i Bashkimit Evropian ka vëzhguar zgjedhjet lokale në Kosovë. Në përfundim të raundit të dytë pritet të jepen edhe konkluzionet e misionit të vëzhguesve.