Në Shqipëri sot në mesnatë përfundon gjendja e jashtëzakonshme, e shpallur për shkak të pandemisë me Kovid-19. Në komunikim të drejtpërdrejtë përmes Fejsbukut, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, tha se përfundimi i gjendjes së jashtëzakonshme nuk do ta zvogëlojë gatishmërinë në ballafaqimin me virusin e rrezikshëm, sepse “vendi vazhdon të jetë në gjendje të epidemisë”.
“Nëse ka rritje të rasteve në terapi intensive, sërish do ta hapim spitalin Kovid2, respektivisht sanatoriumin e mëparshëm, ndërsa në skenarin ku numrat i tejkalojnë këto kapacitete, do të kalohet në karantinë spitalin Kovid4, i cili gjendet në autostradën Tiranë – Durrës, tha ministrja.
Ajo shtoi se Komiteti teknik i ekspertëve për ballafaqim me pandeminë, ka marrë vendim për vendosjen e transportit urban dhe ndërurban publik, në bazë të protokolleve të parapara dhe dërgoi apel për respektimin e masave për mbrojtje.
Qeveria shqiptare gjendjen e jashtëzakonshme e ka shpallur më 24 mars për shkak të “fatkeqësisë natyrore” në tërë territorin e vendit dhe atë në periudhën prej 30 ditëve, respektivisht deri më 25 prill.
Me kërkesë të Qeverisë, Parlamenti shqiptar më 23 prill ka vendosur që gjendja e jashtëzakonshme në vend të vazhdojë deri më 23 qershor. Atëherë Shqipëria ka pasur 634 persona të infektuar, ndërsa sipas të dhënave të sotme ka 2.047.










