Negociatat, “Jo”-ja për Tiranën e Shkupin, edhe Grupi i Vishegradit nën “shock”: Si po zhgënjen BE

“Jo”-ja e negociatave për Tiranën e Shkupin, vijon të përjetohet si “shock” në hapësirën e BE.

Së fundi, kanë qenë krerët e shteteve të Grupit të Vishegradit (V4), të cilat thanë se ishin të zhgënjyer nga Bashkimin Evropian për dërgimin e një sinjali negativ në Ballkanin Perëndimor pas “Jo”-së së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore, por sipas tyre, mund të ketë një shpejtim negociatash me Serbinë dhe Malin e Zi.

Të gjithë jemi të zhgënjyer nga refuzimi i BE-së për të aprovuar hapjen e negociatave me Maqedoninë Veriore dhe Shqipërinë – tha kryeministri hungarez Viktor Orban.

“Meqenëse nuk kemi filluar negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore, është e rëndësishme të shpejtojmë negociatat me vendet tashmë në proces”, tha ai.

“Ne mund të rimarrim veten duke përshpejtuar negociatat me Serbinë dhe Malin e Zi, kështu që nuk ka asnjë problem me zgjerimin e mëtejshëm.”

Kryeministrat e Sllovakisë dhe Republikës Çeke u pajtuan me Orban, duke thënë se dhe ata ishin gjithashtu të zhgënjyer.

“Tre vende të BE-së, njëra prej të cilave është themeluese e saj( Franca), e cila kundërshtoi zgjerimin me Ballkanin Perëndimor, ekspozoi qytetarët e rajonit në një rrezik”, tha kryeministri sllovak Peter Pellegrini.

“Ndoshta ata e shohin perspektivën përfundimtare në bashkëpunimin me Rusinë, Turqinë, Kinën ose shtetet arabe … Ky ishte një gabim i madh, sepse besoj se zgjerimi është një investim për BE. Ai është një investim i mirë. Jo vetëm ekonomik, por edhe në siguri”.

Ai paralajmëroi që BE-ja përsëri mund të bjerë në një krizë të re migrantësh për hyrjen në Ballkanin Perëndimor.

“Të gjitha vendet e V4, përfshirë Sllovakinë, gjithmonë do të jenë në anën e vendeve të Ballkanit Perëndimor për t’i mbështetur dhe motivuar ata që të bëjnë çmos për t’u bashkuar me strukturat evropiane”, theksoi Pellegrini.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu