Nënshkruan Toshkovski dhe Daçiq, “One Stop” si në “Bllacë” edhe në “Tabanoc”

Ministrat Pançe Toshkovski dhe homologu i tij serb, Ivica Daçiq sot në Beograd nënshkruan Marrëveshjen midis Qeverive të Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë për të vendosur kontrolle të përbashkëta në pikën kufitare Tabanoc-Preshevë, për komunikacionin ndërkombëtar rrugor, gjë që duhet të mundësojë zbatimin e një sistemi të mirëfilltë “One Stop” që synon transportin më të shpejtë të njerëzve dhe mallrave.

“Me kënaqësi të madhe nënshkruam marrëveshjen në bazë të së cilës dy vendet tona do të kenë kontroll të përbashkët të pikës kufitare Tabanoc-Preshevë, gjë që do të mundësojë transferim dhe rrjedhë më të shpejtë si të mallrave dhe shërbimeve, ashtu edhe të njerëzve në kufirin tonë. Me zbatimin e sistemit, presim që transferimi i njerëzve të dyfishohet, dhe pas nënshkrimit dhe ratifikimit të marrëveshjes, do të jemi në gjendje të fillojmë fazën testuese në aspektin e një zgjidhjeje teknike dhe shpresojmë që para fillimit të sezonit veror do të jemi në gjendje ta vëmë zyrtarisht në funksion dhe të përshpejtojmë rrjedhën e njerëzve”, potencoi Ministri Toshkovski.

Siç informoi MPB-ja, Toshkovski theksoi se bashkëpunimi i shkëlqyer me policinë serbe në luftën kundër të gjitha llojeve të krimit vazhdon dhe se gjatë këtij sezoni veror do të vazhdojë projekti për shkëmbimin e nëpunësve policorë serbë në Ohër dhe nëpunësve policorë të Maqedonisë në ngjarjet që do të mbahen në Serbi.

Ministri serb i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq theksoi se qëllimi i kësaj marrëveshjeje është t’i ndihmojë më tej qytetarët të kalojnë më lehtë në pikat e kalimit kufitar dhe kështu të lehtësojë rrjedhën e njerëzve dhe të mirave materiale.

“Sot nënshkruam marrëveshjen midis dy qeverive për vendosjen e kontrolleve të përbashkëta për komunikacionin ndërkombëtar rrugor Preshevë-Tabanoc, ku po krijojmë një proces të ri pune që synon thjeshtimin e të gjithë procedurës për kontrollet kufitare në mënyrë që nëpunësit policorë të vendit pritës të autorizohen, përveç kontrollit kufitar hyrës të vendit të tyre, të kryejnë edhe kontrollin kufitar dalës të vendit fqinj. Kështu, po krijojmë sistemin “One Stop” me një pikë kontrolli”, tha Daçiq.

MPB-ja informoi se sistemi “One Stop” me një pikë kontrolli nisi të zbatohet para pak kohe me Kosovën, në vendkalimin kufitar Bllacë – Hani i Elezit, ndërsa do të zbatohet edhe me Republikën e Shqipërisë, në mënyrë që Maqedonia ta ketë zbatuar këtë sistem me të gjitha vendet fqinje që nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu