Sot më 9 shtator, Kuvendi i Kosovës pritet të mblidhet në orën 11:00, ku në rend dite është zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Vetëvendosje pritet ta rikandidojë Albulena Haxhiun për kryeparlamentare, ndërsa PDK-ja pritet të propozojë Vlora Çitakun për nënkryetare, e LDK-ja Kujtim Shalën, transmeton Klankosova.tv.
Kjo seancë po vjen në një situatë mjaft të ndërlikuar politike, sepse ende nuk është e qartë nëse do të sigurohen votat e nevojshme.
Disa analistë dhe njohës të çështjeve kushtetuese e kanë vlerësuar këtë seancë si të parakohshme dhe si një veprim politik të partisë në pushtet.
Në anën tjetër, Aleanca ka konfirmuar se nuk do të marrë pjesë në seancën konstituive. Pas mbledhjes së kryesisë të martën, kreu i kësaj partie, Ardian Gjini ka thënë se ky ka qenë qëndrimi i përgjithshëm i partisë dhe se vetëm një anëtar i kryesisë ka pasur mendim ndryshe.
Sipas tij, Kuvendi mund të konstituohet edhe sot, por nëse ndodh pa u respektuar ajo që Aleanca e konsideron si procedurë kushtetuese, atëherë çështja mund të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese.
Partitë tjera parlamentare shqiptare, LVV, PDK dhe LDK kanë konfirmuar se do të jenë të pranishëm në seancë. /Klankosova.tv










