Nepotizmi në M-NAV, Nikollovski: Xhaxhai im është punësuar para se të lindja unë! Osmani: Jemi popull i vogël, gjithë njihemi mes vete

Ministri i Bujqësisë, Lupço Nikollovski thotë se nuk ka lidhje me punësimin e xhaxhait dhe nipit të tij në M-NAV. Ai përmendi se shteti duhet t’i hapë dyert për profesionistët, e jo t’u dërgojë mesazh se nuk janë të mirëseardhur këtu. Sipas tij, dikujt me siguri i pengon që shtetasit e Maqedonisë që janë të suksesshëm jashtë shtetit, të kthehen këtu.

M-NAV/ Nikollovski: Xhaxhai është punësuar para se të lindja! Osmani: Gjithë njihemi mes vete
“Xhaxhai im punon përpara se unë të lindja. A mos vallë mendoni se dikush që ende s’ka lindur, mund të ndikojë te dikush që në mënyrë profesionale është ngritur dhe ka punuar para ’83-tës, 20 vjet më herët. E dini se për çfarë kuadri bëhet fjalë? Për të arsimuar profesionalisht në Japoni, Kinë, Slloveni, që pas 20 vjetësh është kthyer në vend”, tha Lupço Nikollovski, ministër i Bujqësisë.

I pyetur për punësimet e familjarëve të funksionarëve në M-NAV, kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se po vjen koha kur profesionalizmi do të jetë më i rëndësishëm, në këtë shtet që dallon prej asaj që ishte para 32 viteve. Kovaçevski thotë se duhet të kontrollohen edhe institucionet tjera.

“E shoh që ministrat që kanë ndonjë familjarë tashmë japin qëndrimet e tyre, unë nuk mund të jem zëdhënës i familjeve të njerëzve tjerë, as nuk ka pretenduar që të jem. Nëse hapet ajo temë, duhet të kontrollohet edhe Akademia e Gjykatësve, se kush bëhet gjykatës e prokuror, duhet të shihen edhe ministritë. Në një kohë atje kishte…ka një ish-ministër, që tani është i zëshëm, ai e punësoi edhe dadon, gruan që i ruante fëmijën në MPJ”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, duke sjellë në mendje se si deri në vitin 2002 kanë qenë të përjashtuar nga sistemi, tha se është e sigurt se do të bëheshin devijime gjatë përpjekjes që për 20 vjet të rregullohet padrejtësia e 70 viteve, por sipas tij, përpjekja për “kriminalizim të një populli të tërë” me pohimin se integrimi i shqiptarëve në institucione paska qenë joligjor, familjar dhe partiak, është mënyrë për të krijuar histeri antishqiptare.

“Por duke e mbështjellë atë me një fjalor pak më të pranueshëm, duke e quajtur partizim, nepozitëm… Përsëri po them, nuk pretendoj se nuk ka pasur devijime të tilla. Ne jemi popull i vogël. Gjithë njihemi mes vete dhe mund të ketë diku në institucione edhe njerëz që janë familjarë të bartësve politikë, por askush nuk mund tët thotë se kjo është rregull mbi të cilin është vepruar në këto 20 vitet e fundit apo të pretendohet se shqiptarët paskan gjenetikisht tendencën për të kriminalizuar integrimin”, pohoi Bujar Osmani, ministër i Jashtëm.

Osmani theksoi se sot ka institucione të mbushura me shqiptarë që dëshmojnë veten si kuadër më cilësor.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu