Nëse Qeveria nuk e shkarkon menaxhmentin e M-NAV, nga 10 janari kontrollorët e trafikut ajror do të hyjnë në grevë për një kohë të pacaktuar dhe do të bllokojnë fluturimet në Maqedoninë e Veriut për hir të sigurisë së udhëtarëve, konfirmoi sot presidenti i Sindikatës së Kontrollorëve të Trafikut Ajror, Aleksandar Tasevski, shkruan SDK.
Qeveria nesër, më 9 janar, në mbledhje duhet të shkarkojë menaxhmentin e M-NAV-së, pasi tre drejtorët dhe Bordi Drejtues nuk dhanë dorëheqje pas depërtimit të dhunshëm të tetë personave në Kullën e Kontrollit të Aeroportit të Shkupit, gjatë të cilit një kontrolluesi i trafikut ajror është rrahur në vendin e tij të punës.
“Shpresojmë që e gjithë kjo që ka ndodhur të rezultojë me shkarkimin e drejtorëve në M-NAV. Ndryshe, tregojnë se për ta nuk ka asgjë të rëndësishme në Qeveri përveç poltronëve”, tha Tasevski për “Deutsche Welle” dhe përsëriti se Sindikata ka mbështetje dhe të gjithë të punësuarit qëndrojnë pas këtij qëndrimi.
Kronologjia e ngjarjeve
Sulmi i 4 janarit nga të dyshuarit në krye me Nezirin, në Navigacionin e Maqedonisë ndodhi pasi kryetari i Sindikatës së Kontrollorëve të Trafikut Ajror, Aleksandar Tasevski më 4 janar mbajti konferencë për shtyp së bashku me kontrolluesit e tjetë të fluturmeve, duke informuar se anëtarët e Sindikatës janë nën presion të shtuar nga menaxhmenti i M-NAV për shkak të kundërshtimit të sindikatës lidhur me shpalljen e fundit për punësime.
Nuk është hera e pare që Bekim Neziri sulmon të punësuarit në këtë institucion, ai në vitin 2010 ka rrahur edhe një kontrollor të trafikut ajror.
Më 5 janar, Neziri së bashku me tre të tjerë në pranga u dërgua në Gjykatën Themelore Penale – Shkupi 1 dhe për to u caktua “masë kujdesi” dhe jo paraburgim siç kërkoi paraprakisht Prokuroria Publike.
Gjykata Themelore Penale në Shkup më 7 janar në një komunikatë ka sqaruar arsyet pse ka refuzuar propozimin e Prokurorisë për paraburgim. Prokuroria nga ana tjetër doli me kundër reagim duke theksuar se ka argumente për paraburgim.
Ky incident, që konsiderohet si shumë i rëndë për faktin se bëhet për një nga institucionet më të rëndësishme të fluturimeve civile, ka bërë që Qeveria e RMV-së të njoftojë se në seancën e radhës, më 9 janar, t’i shkarkojë të gjitha strukturat drejtuese. Presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski e ka përkrahur vendimin e Qeverisë ndërsa Sindikata pret që qeveria ta përmbushë premtimin e saj në të kundërtën më 10 janar do të mbyllet hapësira ajrore e vendit.
Nga ana tjetër, drejtori i Kontrollit të Fluturimeve Civile, Fahrudin Hamidi në konferencë për media më 5 janar, tha se “hapësira ajrore e Maqedonisë së Veriut është e sigurt” dhe se asnjëherë nuk ka qenë e rrezikuar. Ai theksoi se “personat që e kanë mbështetur grevën, janë të mashtruar nga kryetari sindikatës”, të cilin Hamidi e akuzon për “sabotim të punës” në kohën kur, sipas tij, ky institucion ka kaluar një krizë të rëndë financiare dhe është kompletuar me “kuadër të kualifikuar”.
Përplasjet në M-NAV filluan në dhjetor 2023, kur sindikata akuzoi menaxhmentin për punësime partiake. Shpalljet, siç deklaruan nga Sindikata e Kontrollorëve të Trafikut Ajror, janë joligjore, ndërsa personat që punësohen janë të përzgjedhur paraprakisht nga partitë politike. Ata disa herë kërkuan tërheqjen e shpalljeve, për të cilat drejtori Fahrudin Hamidi tha se ato shpallje janë “padyshim ndonjë gabim”.
Në faqen e Agjencisë së Punësimit u publikuan dy shpallje nga M-NAV, të cilat ishin për dy ditë nga 14 deri më 16 dhjetor dhe nga 15 deri më 17 dhjetor 2023, përkatësisht për “këshilltar të pavarur për çështje të personelit” dhe për “navigator të aviacionit”.
Për shpalljet në fjalë, Sindikata kërcënoi se do të hyjë në grevë gjatë periudhës së festave, mirëpo e njëjta u anulua “për disa arsye operacionale”.










