Neymar: City si Bayern, gjithçka për finalen! Rinovimi? Ua kam thënë hapur

PSG përballet nesër me Manchester City në gjysmëfinalen e parë të Champions League, ndërkohë që para mediave ka dalë sulmuesi brazilian Neymar. I gjithë fokusi është te rinovimi i kontratës së tij me kampionët në fuqi të Francës dhe sulmuesi deklaron:

Fola për këtë temë më së miri edhe pas ndeshjes së fundit. Mendoj se nuk ka nevojë ta përsëris. Kam ende kontratë me PSG-në. Ne duam të bëjmë atë që është më e mira për të gjithë. E kam thënë se jam i lumtur këtu dhe ndihem shumë më mirë se në sezonet e mëparshme.

Ka disa gjëra që i kam përmirësuar këtu. Gjithashtu kam kaluar edhe momente të vështirë, që njerëzit e dinë. Kam punuar shumë dhe kam qenë gjithmonë profesionist, ndryshe nga se besojnë disa njerëz”, shprehet Neymar.

Në lidhje me duelin kundër City, sulmuesi shtoi: “Sigurisht që do të jetë një ndeshje e vështirë. Nuk ka asnjë ekip të lehtë në këtë nivel. Manchester City është një ekip i nivelit të lartë dhe luhet një gjysmëfinale. Do të jetë e vështirë, aq sa ishte kundër Bayern Munich. Ne do të bëjmë gjithçka për të fituar.

PSG është rritur shumë, klubi është më i respektuar. Kur njerëzit flasin për PSG-në, ata e dinë që jemi në 4, 5 apo 6 ekipet më të mira të Champions League. Ne jemi pranë fitimit të këtij kompeticioni”- tha ai.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu