Nga lideri fokusi zhvendoset te funksionimi! Fetai: Hisja e VLEN ndahet në katër çerek

Procesi për shkrirjen e koalicionit VLEN në një parti të vetme ka hapur dilema brenda strukturave të brendshme, por jo vetëm rreth çështjes së lidershipit. Debati kryesor duket se është zhvendosur te parimet e funksionimit dhe ndarja e pushtetit mes katër subjekteve përbërëse.

Zëvendëskryeministri Arben Fetai thekson se barabarësia mes katër partive është parim themelor, duke sqaruar se “hisja e VLEN ndahet në katër çerek”.

“Aty janë disa parime. E para është barabarësia e katër subjekteve, siç e dini hisja e VLEN ndahet në katër çerek. Dhe ky për mua është parim bazë, kjo është formula realisht e suksesit të VLEN-it si në zgjedhjet parlamentare ashtu edhe locale”, tha Arben Fetai.

Para një jave kryetari i Besës Bilall Kasami aktualisht VLEN ka një marrëveshje, por për zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të duhet të bëhet një e re. Por a do të pajtohen Kasami dhe Mexhiti që edhe në zgjedhjet e ardhshme të vlejë parimi i ndarjes në 25% për 4 subjektet kjo mbetet për tu parë.

Skenari i preferuar për Fetain mbetet shkrirja e partive aktuale dhe regjistrimi i VLEN-it si subjekt i vetëm politik, ndërsa zgjedhja e liderit sipas tij aspak nuk përbën problem.

“Parasëgjithash ne si ASH brenda VLEN jemi të interesuar të flasim për parimet, çështja e zgjedhjes së kryetarit është proces që nuk është aspak problematik dhe vjen krejt në fund kur dakordohen premisat, parimet mënyra e funksionimit dhe strukturimit”, deklaroi Fetai.

Pothuajse të njëjtin qëndrim e ka edhe Alternativa. Afrim Gashi sot në brifing me gazetarët u pyet për këtë temë dhe ja çka u përgjigj:

“Në Alternativa po diskutojmë më shumë për parimet dhe për cilat vlera, ideologji dhe program do të ketë VLEN. Bëhet fjalë për 4 organizata politike; kemi kaluar cikle të vështira që ishin të suksesshme, sepse vendimmarrja e barabartë dhe konsensuale na bëri të suksesshëm”, tha afrim Gashi.

Ndryshe pjesë e VLEN-it janë BESA, LD, AAA, Fraksioni i ASH-së, VV dhe Arbëria.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu