Nga nisi plani i Putinit për gjunjëzimin e Ukrainës në pak ditë?

Agjencia e lajmeve Reuters publikoi rezultatet e një hetimi të madh mbi planet e Vladimir Putin për të pushtuar Ukrainën.

Ata publikuan prova se shumë kohë përpara fillimit të pushtimit, Kremlini filloi një operacion për të futur agjentët e tij sekretë në aparatin shtetëror të Ukrainës. Pesë persona të njohur me përgatitjet e Kremlinit për luftë i thanë Reuters se Vladimir Putin dhe ndihmësit e tij më të afërt besonin se Rusisë do t’i duhej vetëm një forcë e vogël ushtarake dhe disa ditë për të rrëzuar qeverinë e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe për të marrë kontrollin e Ukrainës.

Oleksiy Danilov, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës, tha se Rusia kishte agjentë në ushtrinë, shërbimet e sigurisë dhe policinë ukrainase derisa filloi pushtimi.

Një burim tjetër i tha Reuters se agjentët e Putinit u dërguan në termocentralin bërthamor të Çernobilit vitin e kaluar për të korruptuar zyrtarët ukrainas dhe për të përgatitur gjithçka që nevojitet për të marrë nën kontroll centralin pa luftë.

Sipas dokumenteve të gjykatës dhe deklaratave të dëshmitarëve, kreu i sigurimit të Çernobilit në Ukrainë, Valentin Viter, është në paraburgim dhe nën hetim pas largimit nga posti. Sipas informacioneve nga dokumentet e parahetimit, Viter dyshohet edhe për tradhti, ndonëse avokati i tij thotë se kjo akuzë është e pabazuar.

Burime të njohura me planet e Kremlinit i thanë Reuters se Moska po llogariste në aktivizimin e një serie të tërë të të ashtuquajturave “agjentë gjumi” të vendosur në aparatin e sigurisë të Ukrainës. Ata gjithashtu konfirmuan raportet e mëparshme se Putin planifikoi të emëronte hotelierin pro-rus Oleg Tsarev për të udhëhequr një qeveri pro-ruse në Kiev pas rrëzimit të Zelensky-t. /tesheshi.com/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu