Nga Rrogozhina në Durrës me tren për të shitur perime në rrugë, mjerimi i shqiptarëve (VIDEO)

Zënia e trotuareve nga ambulantët është kthyer prej kohësh në shqetësim, jo vetëm për qytetarët durrsakë dhe ata që vizitojnë qytetin e Durrësit, por edhe për vetë tregtarët ambulantë të tregjeve, që shpesh kanë protestuar kundër konkurrencës së pandershme nga individët, që në mënyrë të pakontrolluar shesin produktet e tyre në rrugë.

Sabria është një prej tyre. Disa herë në javë ajo udhëton nga Manza për në Durrës për të tregtuar kryesisht spinaq. Është e vetmja mundësi për të mbajtur familjen e saj. Është e gezuar kur nga shitjet mund të sigurojë në fund të muajit blerjen e një thesi miell.

“Mezi bëjmë 5 mijë lek në ditë me pesë tufa spinaqi”, thotë Sabria.

Pas mbylljes së kooperativave, ajo nuk ka mundur të gjejë më punë dhe as nuk shpreson më. Me aq pak vite punë që ka para ’90-s nuk arrin as të përfitojë pension, ndërsa të paguajë vullnetarisht kontributet e ka pasur të pamundur.

Në rrugë, jo larg saj shet përditë produktet e fresketa të fshatit edhe Zelia. Ajo vjen nga Rrogozhina me tren për të siguruar bukën e përditshme të familjes së saj. Është e vetmja që punon, pasi burrin dhe vajzën që ka në shtëpi i ka të sëmurë.

“Vij përditë. S’kam ku të shkoj! Si të ushqehemi shtatë vetë?”, thotë ajo.

Ato e kanë të pamundur të paguajnë tarifën mujore që u kërkohet nga pushteti vendor për të shitur brenda tregut, pasi fitimet e tyre janë më pak se aq dhe rruga është e vetmja zgjedhje.

Pas spastrimit të trotuareve nga Policia Bashkiake ato kanë gjetur një tjetër rrugë të qytetit dhe nuk janë vetëm. Të tjera si ato dalin për të shitur produkte të freskëta fshati, apo veshje të dorës së dytë. Pas çdonjërit prej tyre gjallon një histori personale dhe familjare, një histori që lidhet me mbijetesën./t.ch


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu