Ngjarjet në Kuvend, “Besa”: Komision hetimor parlamentar

Lëvizja “Besa” kërkon nga kryeparlamentari i ri, Talat Xhaferi, që në seancën e parë të formojë komision hetimor parlamentar për të zbardhur të vërtetat e 27 prillit, kur turma sulmoi deputetët, gazetarët e administratën e Kuvendit dhe demoloi gjithçka që gjeti në Kuvend.

“Besa” kërkon edhe nga MPB që të sanksionojë policët që ndihmuan protestuesit të hyjnë në Kuvend dhe fton Prokurorinë Publike të fillojë hetimet pa rënë pre e ndikimeve politike.

“Lëvizja “Besa”, respektivisht grupi parlamentar i saj, do të dërgojë kërkesë edhe deri te kryetari i sapozgjedhur i Kuvendit të RM-së, tashmë i pranuar edhe ndërkombëtarisht, që në seancën e parë të formohet komision hetimor parlamentar, ku të zbardhet e gjithë e vërteta e 27 prillit. Ftojmë Prokurorinë Publike të fillojë hetimet dhe të mos bie pre e ndikimeve nga partitë politike të cilat iu ka shërbye deri më sot. E ftojmë ministrin e Punëve të Brendshme, gjegjësisht ministrin në detyrë, që të fillojë me sanksionin e punonjësve të policisë të cilët i ndihmuan bandës së huliganëve, qoftë në aspektin e logjistikës, qoftë në bashkëpjesëmarrjen e tyre, në aktet e terrorit të ushtruar ndaj të zgjedhurit e popullit dhe gazetarëve”,- deklaroi Njomza Imeri – Ismaili nga Lëvizja “Besa”.

Nga Lëvizja “Besa” thonë se pa zbardhjet e këtij rasti Maqedonia nuk do të jetë e sigurt dhe do ta ketë vështirë të krijojë kushte për sundimin e Ligjit të drejtësisë dhe sigurisë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu