Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka përçuar mesazhe të forta drejt Kosovës dhe Serbisë. Ai i fton drejt dialogut me SHBA dhe BE, në mënyrë që të mos i kthehen luftës në vitet ’90.
“Ne po bashkëpunojmë në prioritete të tjera kyçe, dukshëm edhe në Ballkanin Perëndimor. Duhet që të përgëzoj vërtetë lidershipin e Austrisë dhe angazhimin personal të ministrit të jashtëm. Kjo është diçka që ne kemi të shtrenjtë në zemrat tona, veçanërisht presidenti Biden, sepse për presidentin, por edhe për mua, pasi kur nisa punën në vitin 1999, shumica e fokusit në botë ishte mbi Ballkanin Perëndimor, në Bosnje dhe në Kosovë. Ajo që nuk kemi nevojë, që Europa nuk ka nevojë, veçanërisht që njerëzit nga Ballkani nuk ka nevojë, është që të kthehemi pas në kohë në vitet ’99… ne po punojmë së bashku për të përmirësuar marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë. Dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Europian mbetet mekanizmi i vetëm praktik dhe shtegu i vetëm për të ecur përpara. Ne duhet të shohim përpjekje të mirbesimit dhe konstruktive nga Kosova dhe Serbia për të normalizuar marrëdhënien për të ecur në atë shteg, të mbajnë tensionet e ulëta, të rrisin bashkëpunimin dhe koordinimin me partnerët ndërkombëtar për të zbatuar të gjitha marrëveshjet e dala nga dialogu”, tha Blinken.
Deklarata e Escobar
Nga ana tjetër, ditën e djeshme Emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka treguar për vendimet e vështira që po i kërkohen Serbisë në raport me Kosovën. Ai në një intervistë për Radio Evropën e Lirë ka deklaruar se kërkesa e parë është ndalimi i fushatës kundër njohjeve të reja për Kosovën. Escobar tha po ashtu se janë duke kërkuar që Serbia të sigurohet se të gjitha vendimet që janë marrë nën marrëveshjen e Brukselit janë të pakthyeshme.
“Së pari që të ndalojë fushatën kundër njohjeve të Kosovës dhe të pranojë se sapo ta kemi Asociacionin, do të ketë njohje të reja. Përveç kësaj, ne po i kërkojmë Serbisë që të sigurohet që të gjitha vendimet që janë marrë nën Marrëveshjen e Brukselit, janë të pakthyeshme. Kjo përfshin çështjet e letërnjoftimeve dhe dokumenteve doganore dhe gjëra të tjera që duhet të futen në legjislacion. Pra, me fjalë të tjera, duhet të futet në strukturën juridike të Serbisë, jo thjesht të bëhet ad-hoc. Kështu që ka goxha gjëra që po kërkojmë nga Serbia. Por, më e rëndësishmja, ka gjëra të tjera që nuk lidhen me dialogun që ne po i kërkojmë Serbisë. Më e rëndësishmja është që ne duam përgjegjësi për sulmin e 24 shtatorit. Jo vetëm Radoiçiq, por të gjithë ata që janë të përfshirë në atë [sulm] duhet të sillen para drejtësisë”, tha Escobar në këtë intervistë.
Ngjarja në Banjskë
Escobar, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po hetojnë lidhjet e shtetit serb me terroristët në Banjskë, meqë mendojnë se ka pasur disa lidhje financiare dhe organizative. Escobar ka thënë se hetimi për sulmin është bërë me kompetencë nga Policia e Kosovës, duke thënë se rezultatet e hetimit janë shumë afër me informacionet e tyre. Ai ka shtuar se nga Serbia s’po kërkojnë hetim për atë çfarë ndodhi më 24 shtator, por përgjegjësi.
“Ne mendojmë se ka pasur disa lidhje financiare dhe organizative, por ne po e hetojmë atë plotësisht. Por, për sa i përket krimit që është kryer, mendoj se hetimi është bërë me kompetencë nga Policia e Kosovës. Nuk kishim nevojë të bënim një hetim. Ne kishim inteligjencë dhe rezultatet e hetimit janë shumë afër me atë që kemi kuptuar. Pra, ne nuk po i kërkojmë Serbisë një hetim lidhur me atë që ka ndodhur më 24 shtator. Ne po kërkojmë përgjegjësi”, ka deklaruar Escobar.
I pyetur se a do të marrë ShBA-ja masa ndaj Serbisë nëse konfirmohet se ka qenë mbrapa këtij sulmi, ai ka thënë se s’mund të komentojë për këtë aktualisht. Lidhur me Milan Radojiçiçin i cili e ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm, Escobar ka thënë se ai duhet të arrestohet dhe duhet të ngarkohet për krimet.
“Nuk e di për Kosovën, por hetimet janë duke vazhduar, janë duke vazhduar me kompetencë. Në Serbi ne kemi thënë që ai duhet të arrestohet dhe duhet të ngarkohet për krimet, për të cilat mund të ngarkohet në Serbi. E di që ekziston edhe një fletarrestim i INTERPOL-it për të”, ka thënë Escobar.