Nikolloski: Rregullat për udhëtim në BE për RMV-në shtyhen për vitin e ardhshëm

Rregullat e reja të udhëtimit në Bashkimin Evropian janë shtyrë për Maqedoninë e Veriut dhe pritet të hyjnë në fuqi vitin e ardhshëm, nëse nuk ka ndonjë shtyrje tjetër, ndërkohë, jemi në kontakt të vazhdueshëm me BE-në për të koordinuar të gjithë procesin, deklaroi sot zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikolloski, përpara një takimi pune në Odat Ekonomike, me ftesë të kryetarit të OERMV, Branko Azeski.

Në takim, siç ishte paralajmëruar, do të diskutohet për shumë tema, ndërsa theksi i veçantë do të vihet mbi problemin me protokollet e reja të Bashkimit Evropian – EES (sistemi për hyrje/dalje) dhe ETIAS (sistemi evropian për informim dhe autorizim të udhëtimit), si dy sisteme të ndara që BE-ja po i zbaton gradualisht për menaxhimin dhe kontrollin e hyrjes në zonën Shengen, njëri duke filluar nga viti 2025, e tjetri nga viti 2026, ndërsa për kompanitë, siç thonë nga Oda, do të përbëjnë një ngarkesë shtesë.

“Sa i përket rregullave për hyrje në BE, ato janë shtyrë për Maqedoninë, do të fillojnë, nëse fillojnë, vitin e ardhshëm nëse nuk ka shtyrje tjetër. Ndërkohë, jemi në dialog aktiv me përfaqësues të BE-së, dhe rastësisht, menjëherë pas këtij takimi, do të kem një takim me ambasadorin evropian Mihalis Rokas, i cili nuk lidhet drejtpërdrejt me këtë, por megjithatë kemi komunikim të vazhdueshëm, dhe sigurisht do të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për ta lehtësuar hyrjen e qytetarëvetë Maqedonisë në BE. Në thelb, jemi të informuar se sistemi aktual i BE-së po digjitalizohet, bota, teknologjia po ecin përpara, dhe në këtë drejtim duhet të respektohet ajo që po zbaton BE-ja nga njëra anë, por nga ana tjetër, të mos komplikohen procedurat për hyrje të qytetarëve të Maqedonisë. Sigurisht, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria për Çështje Evropiane janë në komunikim dhe së bashku si Qeveri do të koordinohemi kur të fillojë zbatimi”, tha Nikolloski.

Biznesi, siç theksuan nga Oda, tregon se me këto protokolle, operatorët e transportit janë në një pozitë të pafavorshme krahasuar me operatorët nga BE, për shkak të kufizimeve të vendosura nga rregullat e zonës Shengen, të cilat e kufizojnë periudhën gjatë së cilës një shofer profesionist i cili mund të kryejë shërbime bilaterale transporti (kufizim prej 90 ditësh brenda çdo periudhe prej 180 ditësh).

Nikolloski këtu nuk sheh problem, sepse, siç theksoi ai, ligji është i njëjtë dhe afatet prej 90 deri në 180 ditë nuk janë ndryshuar.

Sipas informacioneve të fundit, sistemi i hyrjes/daljes (EES) do të fillojë më 12 tetor 2025. Në mënyrë graduale, në një periudhë prej gjashtë muajsh, do ta implementojnë 29 shtetet evropiane (25 shtetet anëtare të BE-së që janë pjesë e zonës Shengen, plus Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Zvicra), ndërsa implementimi i plotë do të fillojë më 10 prill 2026, kur do të fillojnë të llogariten automatikisht ditët e qëndrimit. Në këtë moment, përmes sistemit të dytë ETIAS, nuk është e nevojshme asnjë veprim nga ana e pasagjerëve, ndërsa Bashkimi Evropian do të informojë më tepër për datën e saktë të nisjes së ETIAS disa muaj para lansimit të tij.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu