Ashtu siç ishte parashikuar në orën 12:00 nisi edhe protesta e organizuar nga opozita shqiptare.
I pari që mbajti fjalën ishte nënkryetari i PD-së, Edmond Spaho.
Ndër të tjera ai theksoi se ka ardhur koha që narkoshteti të marrë fund.
“Jemi këtu për të shprehur revoltën e mijëra bizneseve të vogla të cilët kërcënohen nga falimentimi përmes futjes së tyre në skemën e TVSH-së. Rama vetëm një alternativë ofron, arratisjen nga Shqipëria.
Ne duam barazi dhe drejtësi para ligjit, por nuk mund të ketë të tilla gjëra kur në krye të drejtësisë zgjidhen kriminelë për të mbrojtur Edi Ramën. Ne jemi këtu për të mbrojtur të drejtat tonë. I themi Edi Ramës që të largohet sa më parë, të largohet sa nuk është vonë”, tha Spaho.
Mes qytetarëve që protestojnë janë edhe kreu i PD-së, Lulzim Basha, ish- kryeministri Sali Berisha dhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.
Fatmir Mediu: Ne jemi këtu për të refuzuar këtë të keqe që ka zaptuar vendin. Ka vetëm një rrugë që e keqtriumfojë, ne të ulim kokën. Por a mund ta ulim kokën ne përballë përgjegjësisë që kemi për fëmijët tanë, për familjen tonë, për kobmin tonë? Ne duhet të mbajmë kokën lart, të çohemi dhe ta hedhim poshtë këtë të keqe që ka zaptuar vendin.
Sot ne i bëjmë thirrje rinisë shqiptare që ta ndryshojnë vendin ashtu siç ndodhi 27 vite më parë.
Dashamir Shehu: Të nderuar qytetarët të Tiranës e të gjithë Shqipërisë, sot jemi më shumë se kurrë, ne nuk jemi të rënë nga qielli, por këta që kanë ardhur në pushtet janë më të këqinjtë. Jemi këtu për të dënuar dhunën dhe arrogancën e këtyre pushtetarëve. Jemi këtu për t’i thënë shqiptarëve, por edhe të gjithë botës, që komuniteti më i madh këtu jemi ne, jemi më shumë ne që protestojmë, ne të pakënaqurit dhe jemi më shumë ne që do të rezistojmë ndaj kësaj dhune.
Të gjithë këta njerëz nuk i mblodhëm ne, por pakënaqësia e madhe, i ka mbledhur goditja, rritja e TVSH-së, ai doktori që duhej të ishte falas…jemi mbledhur këtu sepse cdo familje ka një fëmijë, një vëlla, një motër, që bëjnë valixhen gati çdo muaj! Shqipëria ka qenë edhe pa bukë, dhe nuk ka ikur. Shqipëria po ikën sepse jo se i ka ikur buka, por sepse i ka vdekur shpresa.












