Ditën e djeshme policia arrestoi një shtetas pasi ai jo vetëm që shkeli rregullat e qarkullimit por edhe tentoi të korruptonte një efektiv rrugor.
I arrestuari është shtetasi Pandi Cunge, 23 vjeç banues në Ersekë.
Policia njofton se rreth orës 18:40, së ditës së djeshme, në rrugën e “Dibrës”, në afërsi të kryqëzimit të “Farmacisë Nr. 10”, shtetasi në fjalë u kap duke kaluar semaforin me të kuqe.
Pasi u kap, ai tentoi t’i jepte policit rrugor 20 mijë lekë të vjetra për të shmangur gjobën.
Por kush është Pandi Cunge?
Cunge, nuk është aspak i panjohur. Ai është drejtor i Institutit te Shëndetit Publik, Kolonjë si dhe kryetar i FRESSH në Ersekë.
Nga raportimet e para mësohet se në makinë me 23 -vjeçarin ishte edhe drejtori i Ujsjellësit, Igli Radomi, nga rradhët e PS-së.
Mësohet se të dy shtetasit në fjalë janë emëruar nga deputetja Elisa Spiropali, e cila mban edhe detyrën e Koordinatores së bashkëqeverisjes me qytetarët. /albeu.com