Një kritikë Albin Kurtit për përfshirje në fushatën e Shqipërisë

Kreu i ri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar së fundi kryeministrin Albin Kurti në lidhje me përfshirjen e tij, sigurisht jo të drejtpëdrejt, në fushatën në Shqipëri. Sipas tij, kjo nuk është një nisje hiç e mirë e 14 shkurtit për Kurtin, ditën kur fitoi zgjedhjet.

Marrja me zgjedhje e protesta në Shqipëri – nga Kryeministri, ministrat e deputetët e tij – në kohë kur nga 80 bashkëqytetarë në javë na vdesin në Prishtinë; kur të moshuarit e të rrezikuarit presin vaksinim, tregon papjekuri, tregon papërgjegjësi.

Përpjekja për të prekurit e familjet e tyre, për secilin tjetër që sot pret shpëtim – qoftë madje edhe si solidarizim – është një shembull sjellje prej lideri. Është lidership. Këtë punë, këtë shembull, këtë sjellje kjo Qeveri nuk po e jep dot!

Ajo i ka braktisur njerëzit e vet. Në vend të kësaj, në kulmin e krizës shëndetësore e ekonomike, pozita, e zgjedhur për të prirë këtu, ka zgjedhur të jetë opozitë protestash e fushatash në një tjetër shtet. Duket se 14 shkurti është kuptuar si fund e jo si fillim. Por me këtë fillim të dobët, të dobët shumë, edhe muajt e mjaltit marrin fund. Keni përgjegjësi, mbani përgjegjësi!”, shkruan Abdixhiku.

Kujtojmë se dhe refuzimi i vaksinave nga Shqipëria prej Albin Kurtit, është nënkuptuar si e motivuar politikisht. Vetëvendosje ka tre kandidatë për 25 prillin, ndërkohë që Albin Kurti po i promovon ata, duke qenë jo pak kohë nëpër Shqipëri.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu