Një media e re sociale për konservatorët amerikanë

Ndërsa kompanitë Twitter dhe Facebook po bllokojnë dhe po etiketojnë më shumë mesazhe në mediat sociale, disa amerikanë konservatorë janë duke iu drejtuar rrjeteve sociale si Parler, që ka deklaruar se nuk do të censurojë fjalën e lirë. Është një periudhë trazuese për amerikanët që dëshirojnë të ndajnë mendimet e tyre në internet për zgjedhjet e zhvilluara rishtazi. Kompanitë Twitter dhe Facebook u kanë bashkangjitur paralajmërime shumë mesazheve dhe në disa raste kanë bllokuar mesazhe me pretendime false për procesin zgjedhor dhe rezultatet.

Tashmë njerëzit po gjejnë vende të tjera në internet. Një prej tyre është rrjeti social Parler që ka premtuar se nuk do të censurojë asgjë. Aplikacioni i këtij rrjeti është bërë më i shkarkuari në Apple iTunes, si dhe më popullori mes mbështetësve të Presidentit Donald Trump.“Kemi shtuar mbi 4 milionë llogari të reja gjatë ditëve të fundit, ndoshta edhe 5 milionë”, thotë Amy Peikoff, drejtuese e politikave në rrjetin social “Parler”.

Ngritja e Parler-it po ndodh ndërsa amerikanët janë të ndarë nëse i duan kompanitë e mediave sociale të bëjnë më shumë për të shmangur nga faqet e tyre keqinformimin dhe thirrjet për dhunë, apo nëse interneti duhet të jetë një vend për të gjithë fjalën e lirë. Këtu hyn rrjeti Parler, që në frëngjisht është folja “flas”. Konservatorë të rëndësishëm i janë drejtuar kësaj platforme me seli në shtetin amerikan Nevada, dhe disa po bëjnë thirrje për t’iu larguar Twitter-it dhe Facebook-ut.

“Mendoj se ka mungesë besimi. Dhe kur dëgjojnë se ekziston dikush që thotë se jemi një platformë e pavarur, neutrale, e fjalës së lirë, atëherë njerëzit duan ta provojnë”, thotë zonja Peikoff. Një pjesë e madhe e shkëmbimeve në Parler u bën jehonë pretendimeve të paprovuara të Presidentit Donald Trump se zgjedhjet e 3 nëntorit u vodhën nga demokratët nëpërmjet manipulimit masiv. Janë bërë thirrje për veprim dhe janë planifikuar demonstrata. Ndonjëherë përdoruesit e shkelin kufirin.

Një shef policie në Arkansas shfrytëzoi rrjetin Parler për të bërë thirrje për dhunë ndaj demokratëve, për të cilët ai pretendon se po pengojnë rizgjedhjen e Donald Trump-it. Kur mesazhet e tij u shfaqën në artikuj lajmesh, llogaria e tij publike u mbyll dhe ai u detyrua të dorëhiqet. Ndërsa algoritmi i rrjetit Parler nuk i promovon mesazhet për të mbajtur përdoruesit të angazhuar, kompania thotë se është seriozisht e angazhuar për fjalën e lirë dhe se nuk bllokon përmbajtjen ekstremiste.

“Fakti që ne nuk e bllokojmë përmbajtjen e postuar nga ekstremistë të ndryshëm nuk do të thotë se qëllimi ynë është të promovojmë të gjitha ato pikëpamje. Ajo që çfarë po planifikojmë të bëjmë është të japim lirinë më të gjerë të mundshme në mënyrë që njerëzit të kenë një diskutim të plotë”, thotë zonja Peikoff. Kjo nuk ndryshon shumë nga misioni themelues i Facebook-ut dhe Twitter-it. Por firmat kryesore të internetit – të kritikuara për mbajtjen e njerëzve të angazhuar duke sugjeruar përmbajtje më ekstreme – kanë ndërmarrë gjithnjë e më shumë hapa për të kufizuar përhapjen e keq informimit. Dhe më pas u shfaq Parler.

“Ndoshta kjo na sugjeron se nëse platformat përpiqen t’i largojnë njerëzit nga këto hapësira dhe nga ajo që duan, ata thjesht do të migrojnë diku tjetër. Është një kujtesë se sado të fuqishme të jenë këto platforma dhe sado të popullarizuara të jenë, nuk është një monopol”, thotë Michael Karanicolas, nga Shkolla Juridike në Yale. Është shumë shpejt për të ditur nëse Parler do të vazhdojë të tërheqë njerëz. Por tani, ndërsa Shtetet e Bashkuara ndeshen me rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020, Parler ka krijuar një strehë unike dixhitale.

data-full-width-responsive="true">

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu