Një planet i ri mund të ketë atmosferë të ngjashme me Tokën, ja çfarë do të thotë kjo për njerëzimin

Astronomët janë një hap më pranë konfirmimit të pranisë së një atmosfere të ngjashme me Tokën në një ekzoplanet, falë të dhënave të reja nga Teleskopi Hapësinor James Webb.

Zhvillimi i fundit lidhet me sistemin planetar TRAPPIST-1, i zbuluar në vitin 2016 nga një ekip astronomësh belgë. Ky sistem ndodhet rreth 40 vite dritë larg Tokës dhe përbëhet nga shtatë planetë shkëmborë, disa prej të cilëve ndodhen në zonën e banueshme – aty ku ekziston mundësia për ujë të lëngshëm.

Në fokus të kërkimeve është TRAPPIST-1e, planeti i katërt në këtë sistem, që ndodhet në distancën e duhur nga ylli i tij për të pasur potencial për jetë. Katër vëzhgime të kryera gjatë vitit 2023 nuk përjashtuan praninë e një atmosfere, duke e bërë këtë planet një kandidat serioz për banueshmëri.

Ndryshe nga planeti TRAPPIST-1b, i cili ka humbur atmosferën e tij, TRAPPIST-1e shfaq karakteristika më të ngjashme me Tokën. Sipas të dhënave, është përjashtuar mundësia e një atmosfere të pasur me hidrogjen apo dioksid karboni, si ato të Marsit dhe Venusit. Gjetjet sugjerojnë më shumë për një atmosferë të bazuar në azot, e ngjashme me atë të Tokës – një tregues kyç në kërkimin për jetë jashtëtokësore.

“Jemi më afër se kurrë më parë për të identifikuar atmosferën e një planeti shkëmbor jashtë sistemit tonë diellor,” u shpreh Néstor Espinoza nga Instituti i Teleskopit Hapësinor në Baltimore. Ai shton se 15 vëzhgime të tjera janë në zhvillim e sipër, dhe rezultatet përfundimtare priten brenda këtij viti.

Nëse konfirmohet prania e një atmosfere, madje me gjurmë të gazeve si metani, do të ishte një provë e fortë që planetët përreth yjeve xhuxh të kuq – më të zakonshmit në univers mund të jenë të banueshëm.

Ky përparim i fundit shënon një hap të rëndësishëm drejt revolucionit shkencor në kërkimin për jetë në kozmos.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu