Një Serbi tjetër: Koha për paqe e pajtim me Kosovën

Serbia ka një mundësi historike për të hedhur themelet për ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, gjë që do të ndryshonte përgjithmonë perspektivën e të gjithë Ballkanit, sipas organizatave joqeveritare.

Një grup i organizatave joqeveritare në Serbi kërkuan nga presidenti Vuçiç, nga qeveria e parlament serb, që të pranojnë propozimet për marrjen e hapave të nevojshëm për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, me vlerësimin se propozimi franko-gjerman për çështjen e Kosovës është “një mundësi historike që autoritetet dhe qytetarët e Serbisë ta pranojnë realitetin”.

“Institucionet e Republikës së Serbisë dhe përfaqësuesit e tyre, si bartës të funksioneve publike, janë të obliguara që qytetarëve të tyre dhe gjeneratave të ardhshme t’u garantojnë zbatimin e plotë të marrëveshjeve të ardhshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në njoftim, transmeton Tanjug.

Organizatat theksojnë gjithashtu se kjo është një mundësi historike për autoritetet në Serbi dhe qytetarët e saj për të pranuar realitetin, si dhe për të hedhur themelet për ndërtimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, gjë që do të ndryshonte përgjithmonë perspektivën e të gjithë Ballkanit.

“Shoqëritë tona kanë nevojë për veprim politik të pjekur dhe të përgjegjshëm, i cili hap hapësirë ​​për shkëmbim në të gjitha nivelet dhe ndryshimin e mënyrës e si ne e shohim njëri-tjetrin për më shumë se tre dekada. Ne e konsiderojmë të nevojshme për shërim të qëndrueshëm social që të vazhdojë procesi i ndalur i kërkimit të fatit të të vrarëve dhe të zhdukurve gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë dhe të fillohet me zbatimin e mekanizmave të drejtësisë tranzicionale në nivel institucional”, thuhet në deklaratë.

Një mundësi historike për Serbinë

Ata thonë se institucionet e Serbisë duhet të jenë të vendosura, këmbëngulëse dhe të gatshme për të ndalur “politikat dhe aktivitetet ekstremiste të grupeve dhe individëve të ndryshëm, përfshirë ato grupe dhe individë që veprojnë ose kanë vepruar me mbështetjen e autoriteteve në Serbi dhe që kërcënojnë paqen, të ardhmen evropiane të vendit, si dhe promovojnë shkeljen e të drejtave të njeriut, diskriminimin, urrejtjen dhe gënjeshtrat në hapësirën publike”.

“Negociatat evropiane ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe marrëveshja që iu prezantua palëve negociuese duhet të komunikohen në mënyrë transparente me prezantimin e të gjitha informatave relevante në opinion”, thuhet në komunikatën për media, me vlerësimin se “marrëveshja e re është një mundësi e mirë për Serbinë që të kthehet dhe të ndërtojë një politikë pajtimi që do të ndërtojë lidhjet, do të ruajë paqen dhe do të forcojë sundimin e ligjit”.

Ata shtojnë se kjo është edhe një mundësi për Serbinë që t’i tregojë botës se gatishmëria e saj për të ecur përpara reflektohet në guximin për të marrë vendime që kontribuojnë në zgjidhjen e konflikteve historike.

“Vetëm një kurs i tillë politik dhe social është garanci për mospërsëritjen e konflikteve nga e kaluara dhe ndërtimin e një të ardhmeje në të cilën ne nuk jemi kërcënim për njëri-tjetrin, por partnerë”, përfundon deklarata e firmosur nga 19 organizata dhe individë, mes tyre Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, Mbrojtësit e të Drejtave Civile, Instituti për Çështje Evropiane, Iniciativat Qytetare, Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, Qendra për Dekontaminim Kulturor, Gratë në të Zeza, Qendra për të Drejtat e Njeriut në Beograd, Fondi Humanitar, dramaturgia Biljana Srbljanoviç, shkrimtari Svetislav Basara dhe të tjerë. /tesheshi


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu